Kulturë

“Zgjimi i pranverës” pa publik shkaku i “censurës” nga pandemia

Descriptive Text

E shkruar midis vjeshtës së vitit 1890 dhe pranverës së vitit 1891, drama “Zgjimi i pranverës” e gjermanit Frank Wedekind llogaritet të jetë midis veprave që hyjnë në fillet e historisë moderne të teatrit. Shoqërohet me nëntitullin “Tragjedia e fëmijëve”. Do të inskenohej për herë të parë më 1906 në Berlin, nën regji të Max Reinhard.

Gjatë inskenimeve të mëvonshme, për shkak të përmbajtjes shpesh do të censurohej.

Në Prishtinë ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e me sallën plot. I është ofruar shumë verës, e premiera do të jetë pa publik. Jo për shkak të censurës, por sherri i pandemisë. Dashuria, seksualiteti, ndrydhja e ndjenjave e krejt problemet e fazës së pubertetit te adoleshentët do të trajtohen në formë mjuzikli në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Por në një tip premiere të mbyllur. Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë kanë bërë që teatrot e kinematë të mos hapen ende. Madje shfaqja në njëfarë forme do të jepet “ilegalisht”, shkruan KOHA.

Nën regji të Zana Hoxhës, premiera e sonte do të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Një publik më i gjerë do të mund ta shohë shfaqjen vetëm nëse transmetohet online.

“Censura” kësaj radhe është koronavirusi, të paktën derisa të zbuten masat. Ishte paraparë që më 1 qershor të hapeshin teatrot e kinematë. Por për dallim nga objektet fetare e qendrat tregtare, institucionet shëndetësore kanë vlerësuar se teatrot nuk mund të hapen. Sikurse krejt institucioneve kulturore, edhe Teatrit Kombëtar të Kosovës i është thënë që nga 1 qershori të kthejë punonjësit në punë. E TKK-ja ka kthyer edhe provat.

Të enjten, regjisorja Zana Hoxha ka thënë se janë në një pikë që nuk i ka ngjarë të jetë asnjëherë gjatë karrierës.

“Shfaqja është e gatshme e publiku nuk është”, ka thënë ajo. Në emisionin “Express” të KTV-së ka treguar se kanë marrë disa masa. Midis tyre kanë bërë edhe xhirimin e shfaqjes duke pasur parasysh mundësinë e transmetimit online.