Kulturë

“Biber”, në kërkim të tregimeve të guximshme

Prishtinë, 25 maj – Të shkruarit mund të ndihmojë njerëzit në aspekte të ndryshme. Kështu beson ekipi prapa konkursit “Biber” që këtë vit për herë të katërt është bërë adresë për tregime që kanë të bëjnë me pajtimin e popujve në ish-Jugosllavi, të përbashkëtat, ballafaqimin me të kaluarën e mbi të gjitha që bëjnë thirrje për paqe. 

Ata besojnë se përmes ndryshimit personal mund të arrihet tek ai shoqëror dhe mjet për këtë e shohin pikërisht procesin e të shkruarit. Këtë vit u kanë kërkuar atyre që dëshirojnë që të bëhen pjesë e konkursit që të vënë aplikojnë në ueb-faqen e tyre në internet (https://biber.nenasilje.org/).

Deri tani sipas ekipit, numri i tregimeve të dërguara është i kënaqshëm, por u kanë kujtuar të interesuarve se ka kohë deri më 1 dhjetor për të dërguar tregimet e tyre për konkursin e hapur më 27 prill. Tregimi duhet të jetë i shkruar në boshnjakisht, kroatisht, malazezisht, maqedonisht, serbisht ose shqip.

Njëlloj si në edicionet e kaluara, autorët e tri tregimeve më të mira do të shpërblehen e 25 tregime të përzgjedhura do të botohen në një libër. Autori i tregimit që do të zërë vendin e parë do të marrë 800 euro, i dyti 600 euro dhe vendi i tretë 400 euro.