Kulturë

Rimodelimi i modernes me tradicionalen

“Gjatë kësaj kohe të pandemisë, sa ishim të mbyllur”, thotë Guraziu. “Fillova t’i postoja ato veshje në llogarinë time të Instagramit, ku mora shumë komente pozitive. Pastaj vendosa të hap një llogari tjetër posaçërisht për punimet e mia”, thotë ajo.

“Vesa creations” është brendi që mban edhe për titull faqja e Instagramit, në të cilën mund të shihen disa nga punimet e kreatores së re. Të tjera punëdore do të vijnë në vazhdim.

“Pasi që ky rrugëtim filloi gjatë kohës së karantinës, pengesë kryesore ishte furnizimi me materiale, kurse më ndihmoi shumë koha e lirë të cilën e kishim gjatë këtyre muajve, gjë që më bëri të reflektoj edhe më shumë”, thotë Guraziu.

Inspirimi për produkte unike

Guraziu tregon për produktet e saj, për atë që i karakterizon e për motivet dhe simbolet që i shoqërojnë.

“Produktet e mia janë rroba të cilat i përzgjedh, i rimodeloj dhe i qëndis vetë. Punoj edhe me materiale të cilat i qep prej fillimit, por më pëlqen më shumë të punoj me rroba më të gjera dhe të nxjerr diçka tjetër prej tyre”, shprehet Guraziu, e cila thotë se ato karakterizohen me qëndisje, me kombinime të materialeve të ndryshme.

“Për momentin jam duke u fokusuar në qëndisje të ilustrimeve të ndryshime, siç është one-line art”, thotë ajo.

Thotë se i pëlqen të krijojë sa më qartë një imazh, dhe këtë e realizon përmes vizatimeve të cilat fillimisht i punon në letër dhe pastaj në material.

“Ideja është që t’i kombinoj tradicionalen dhe modernen, pra modelet të cilat janë për momentin në ‘modë’, mundohem me i sjell me qëndisje të cilat i punoj me kasnak tradicional”, sqaron ajo.

E idetë për produktet e reja të saj, Guraziu i zhvillon varësisht se nga çka inspirohet, e po ashtu edhe nga ajo që e sheh se po pëlqehet më së shumti.

“Patjetër që mundohem të bazohem edhe në kërkesat e klientëve, por që të njëjtin produkt nuk e përsëris, pra secili produkt është unik”, thotë ajo.

Guraziu thotë se materialet që përdor mundohet t’i zgjedhë kryesisht nga pambuku, por edhe materiale të tjera të cilat janë më të përshtatshme.

“Varet edhe prej idesë se çka do të krijoj”, thotë ajo.

E një makinë e qepjes, penj të ndryshëm dhe kasnak për qëndisje janë krejt çka ka e çka i duhet për të vënë në zbatim idetë e saj kreative. Ndërkohë ajo ndalet edhe për të sqaruar se si shkon puna deri në prodhimin e një produkti të saj.

“Procedura fillon duke e marrë një këmishe ose fanellë, të cilat zakonisht i përzgjedh numra më të mëdhenj, ku pastaj vazhdoj me prerjen dhe me rimodelimin e tyre. Mundohem që të rimodeloj të paktën dy produkte për një ditë, kurse ditën tjetër të bëj qëndisjen. Të dyja këto më marrin kohë dy ditë, pastaj i bëj fotot e produkteve dhe i postoj tek llogaria në Instagram”, tregon ajo.

E ardhmja premtuese

Vesa Guraziu ka përfunduar shkollimin në nivelin master në Fakultetin Ekonomik, teksa punon si zyrtare për financa. Profesioni me pasionin e saj i lidh menaxhimi i biznesit.

E në këtë kohë, kur tregtia online brenda vendit ka shënuar rritje, ajo s’ka se si të mos e përdorë këtë mundësi për të depërtuar te ata që janë të interesuar e që ia dinë vlerën punës së dorës dhe gjërave unike. Guraziu është e kënaqur me shitjen.

“Shitja po shkon shumë mirë për momentin. Nuk e kam besu që munden me u pëlqy në këtë masë. Po mundohem sa më shumë me e shfrytëzu Instagramin dhe me arrit që të gjithë t’i shohin punimet”, thotë ajo.

Blerësit e produkteve të saj janë të ndryshëm, derisa porosinë e fundit thotë ta ketë dërguar në Francë.

“Puna e dorës tek ne nuk mendoj se vlerësohet aq shumë, për këtë arsye mundohem me e sjell me modele moderne dhe ndoshta do të tërheqë vëmendjen e të rinjve”, thotë ajo.

Ndonëse në fazë të hershme, Guraziu ka një shpresë se e ardhmja e pasionit të saj është premtuese.

“Duke pasur parasysh reagimin pozitiv ndaj punimeve të mia deri tash, mendoj se e ardhmja e këtij biznesi do të jetë shumë premtuese”, shprehet Guraziu, e që ka një porosi.

“Të mundohemi të gjejmë gjithmonë kohë për gjërat të cilat i kemi në zemër dhe të mos i lejojmë të mbesin veç një dëshirë”.