Kulturë

Artisti kosovar me dy vepra në “Auto-portrete virale” të galerisë sllovene

Rreth 100 artistë nga e gjithë bota janë bërë bashkë nëpërmjet veprave të tyre në ekspozitën virtuale “Auto-portrete virale” të hapur nga “Moderna galerija”, instituti kombëtar slloven për artin modern dhe bashkëkohor me seli në Lubjanë.

Në forma të ndryshme artistë me nam por edhe të rinj janë bashkuar virtualisht në ekspozitën që bën bashkë edhe 23 kuratorë. Për detyrë kanë pasur përzgjedhjen e artistëve që me veprat e tyre zbërthejnë konceptin e ekspozitës.

E në mesin e artistëve është edhe Dion Zeqiri nga Kosova. Lista e pjesëmarrësve përfshin emra të njohur si artisti nga Hong-Kongu, Isaac Chong Wai me bazë në Berlin, puna e të cilit shpërfaqet përmes mediumeve të ndryshme si performanca, video e fotografi, fotografja kroate Sanja Ivekoviq, e cila po ashtu është edhe skulptore e që përmes punës së saj prek tema si identiteti i grave, artisti austriak Richard Bell, që është edhe aktivist politik, e Julian Togar Abraham nga Indonezia, artist, muzikant, që shpeshherë në punën e tij e ka në fokus lidhshmërinë në mes të mjedisit, shkencës dhe teknologjisë duke mos harruar edhe kolektivin “IRWIN”, që në shtator të vitit të kaluar në Galerinë Kombëtare të Kosovës hapi ekspozitën “Shteti në kohë”.

Dion Zeqiri në ekspozitën “Auto-portrete virale” përmes artit të tij konceptual shpalos pamundësinë e shprehjes së vullnetit. E bën këtë me dy vepra që janë të lidhura me njëra-tjetrën: “Impossible desire” dhe “No content”. Ekspozita e hapur më 15 maj do të jetë e qasshme deri më 31 dhjetor të këtij viti. Pikërisht këto vepra në nëntor të vitit të kaluar e patën radhitur Zeqirin në treshen finaliste në konkursin artistik “Artistët e së nesërmes”. “Impossible desire” (Dëshira e pamundur) përthekohet në një dorë të paralizuar. Dora është skanuar në gjendje reale e pastaj është printuar në formatin 3D. E “No content” (Pa përmbajtje) sjell një incizim të thellë të trurit që ka pësuar sulm.

“Moderna galerija” ku po ekspozohen virtualisht veprat e Zeqirit, funksionon që nga vitit 1984. Në nëntor të vitit 2011, pas përfundimit të disa renovimeve ishte ndarë në dy hapësira dhe që atëherë mban emrin “MG+MSUM” që qëndron për “Galerinë Moderne” dhe për “Muzeun e Artit Modern”. Brenda saj shpaloset arti i shekullit XX dhe vepra bashkëkohore.

Galeria sjell ekspozitën virutale “Auto-portrete virtuale” në kohën e pandemisë së virusit COVID-19, kur njerëzit janë ende të izoluar. Fillimisht Galeria kishte kontaktuar 23 kuratorë ndërkombëtarë nga pjesë të ndryshme të botës për të nominuar secili nga pesë artistë dhe kishte përzgjedhur punën e 100 prej tyre. Kuratorja sllovene Natasha Petreshin-Bachelez, që vepron në Paris, ishte ajo që kishte vënë në pah punën e artistit kosovar. Kishte dëgjuar për të nga sociologia Donjeta Murati.