Kulturë

Dy ministri kërkojnë rishqyrtim të lejes së gurëthyesit te Kalaja e Lipës

Descriptive Text

Ministria e Kulturës dhe ajo e Infrastrukturës dhe Ambientit kërkojnë që një grup profesionistësh të bëjë vlerësimin e gjendjes sa i përket rrezikut potencial që paraqet gurëthyesi për strukturat e Kalasë së Lipës në Pejë. Problemi që zë fill qysh nga viti 2013, ka prodhuar telashe të reja.

Pas zgjerimit të rrugës nga gurëthyesi e cenimit të 100-metërshit të perimetrit të monumentit, Policia e Kosovës ka hapur rast për “uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme”. Përderisa institucionet e trashëgimisë kulturore kanë ndërprerë punën e gurëthyesit para dhjetë ditësh, banorët e zonës e pronarët e kompanisë kanë përfunduar në Polici. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit nuk do të lëshojë pëlqim mjedisor pa dritën jeshile të institucioneve të trashëgimisë kulturore e Ministria e Kulturës kërkon që zona të përkufizohet sërish.

Në fillim të muajit çështja e gurëthyesit është rikthyer në agjendë të institucioneve të trashëgimisë kulturore, pasi gurëthyesi shkeli zonën e mbrojtur që i ishte caktuar para gati tre vjetësh. Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte dalë sërish në terren, e bashkë me të edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Gazeta ka raportuar më 5 maj se ka shtatë vjet që gurëthyesi te Kalaja e Lipës është problem i pazgjidhur. Por tash me këtë rast po merren edhe organet e rendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se në ditën e 8-të të këtij muaji Policia ka pranuar një informatë se një person kishte bllokuar rrugën Brestovik-Lipë.

“Motivi i bllokimit ka qenë për shkak se janë ndërprerë punimet në afërsi të objektit të mbrojtur kulturor me kërkesën e fshatarëve që kanë dyshuar se po rrezikohet Kalaja. Hetimet janë duke vazhduar. Rasti është hapur si uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, ka thënë Gashi. Krejt kjo ka ndodhur dy javë pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndalur punën që po bëhej për zgjerim të rrugës nga gurëthyesi.

“Të mos ndërmerrni asnjë veprimtari në hapësirën e mbrojtur pa miratim, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, ku nuk lejohet ndërhyrja pa pëlqim paraprak të IAK-ut, institucion kompetent”, shkruhet në rekomandimin e Inspektoratit të datës 30 prill. Aty shkruhet se duhet të zbatohet pëlqimi për realizimin e veprimtarisë i lëshuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në gusht të vitit 2017. Institucionet e trashëgimisë kulturore ishin lajmëruar nga banorët e zonës.

Asokohe ishte konstatuar se është prekur perimetri i caktuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Për këtë kërkojnë një ekspertizë të re dy ministri.

Zëvendësministri i Kulturës, Yll Hoxha, e ai i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, e kanë vizituar lokalitetin.

Ky i fundit ka thënë se është duke u rrezikuar direkt Kalaja, që është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.

“Aty direkt rrezikohet Kalaja. Kjo është e sigurt”, ka thënë ai. Sipas Zogianit, MIA ka dhënë pëlqim mjedisor për hulumtime, por jo edhe për eksploatim. Sipas tij, nuk do të jepet pëlqim mjedisor për eksploatim pa një ekzaminim të situatës.

“Ministria mendon se duhet të bëhet një ekzaminim i situatës nga ekspertë të gjeologjisë dhe arkeologjisë e më pas të jepet pëlqim. Duhet bërë një raport për këtë situatë. Është diçka mbi 90 metra e më pak se distanca e lejuar aty ku është punuar”, ka thënë ai.

E zëvendësministri i Kulturës ka thënë se institucionet profesionale të trashëgimisë kulturore kanë qenë në atë hapësirë dhe e kanë ndaluar punën. “Vlerësimi ynë nuk është profesional e shkencor. Sidoqoftë, ishim dhe kemi shikuar dokumentacionin. Nuk mund të operojnë të paktën në kushtet që janë sot. Sipas gjykimit tonë po shkelet perimetri i caktuar nga IAK-u. Kemi kërkuar që të bëhet edhe një analizë e dytë e gjendjes në terren dhe të shohim për hapat që duhet të ndërmerren”, ka thënë ai. Sipas tij, ka pasur një tentim nga pronarët që të bllokohet rruga, por ajo është hapur nga Policia.