Kulturë

Receta 80-vjeçare, sekret për kujdes ndaj bukurisë

Një recetë e vjetër më shumë se 80 vjet, e përpunimit të kremit të fytyrës, do të ishte pikënisja e Blerta Prebrezës për një profesion të ri. Ajo e mban sekret jo vetëm identitetin e gruas nga e cila mori dijen për produktet që bën, por edhe raportin me të. Po aq sekret sa recetën për kremin organik të kujdesit të lëkurës. Thotë se ende s’është koha për t’i zbuluar ato.

Por në bisedën për “Kohën Ditore”, ajo tregon gjithë historinë që nisi në vitin 2015. Gama e produkteve punëdore nën brendin “Blerta’s Face Care” është zgjeruar goxha. Tregu global është prekur, e ambiciet janë të mëdha.

Konsideron se lëkura është gjysma e bukurisë. Prandaj, kujdesi për të është jo vetëm dëshirë, por edhe obligim.

Pikënisja nga produkti artizanal

Pa dhënë shumë detaje, Blerta Prebreza thotë se origjina e produkteve të saj daton më shumë se 80 vjet më parë.

“Atëherë kur produkti i parë u krijua me shumë dashuri në mënyrë artizanale nga një grua”, thotë Prebreza, për të treguar se dijen për këto kremra e ka të trashëguar, e duke mos e dhënë raportin me gruan që ia dha këtë zanat.

“Receta e parë, e cila u përdor në atë kohë dhe vizioni për të krijuar një produkt, i cili zgjidh problemet kryesore me lëkurën ishte pikërisht pikënisja e brandit ‘Blerta’s Face Care’, kompani e cila startoi në vitin 2015 në Kosovë, e për t’u zgjeruar më vonë me shitje në të gjithë botën e me një gamë të gjerë të produkteve, e cila ndërkohë vazhdon e rritet”, thotë Prebreza.

Teksa kanë kaluar gjysmë dekade në këtë veprimtari, ajo kthehet pas për t’i kujtuar sfidat me të cilat u ballafaqua në fillimet e veta.

“Pengesë e rrugëtimit tim ka qenë mungesa e disa prej materialeve me të cilat ne i punojmë produktet tona, e që na duhet që shumicën prej tyre t’i marrim jashtë Kosovës”, thotë ajo.

Por ka pasur edhe gjëra që e kanë lehtësuar këtë rrugëtim.

“Ajo që na ka ndihmuar ka qenë përkrahja e klientëve dhe besimi i tyre, duke pasur parasysh që në prodhimin e kozmetikës bimore jemi të parët”, thotë Prebreza.

Në këta 5 vjet, ajo thotë se kanë arritur të krijojnë një shumëllojshmëri të produkteve, duke filluar nga kremrat, të cilët, siç thotë Prebreza, zgjidhin probleme me lëkurën, si aknet e njollat e diellit.

“Pas kësaj kemi kremra hidratues apo mirëmbajtëse për rrudha, dhe kemi një produkt për flokët po ashtu. Secili produkt ka treguar sukses te përdoruesit tanë”, shpreh bindjen ajo.

Prebreza thotë se përmbajtja e kremrave, bazën kryesore e kanë me përbërësin unik SHEA, ndërsa përmbajnë edhe vajra esencialë dhe vitamina.

“Praktika e prodhimit të tyre është krejtësisht tradicionale, përpos makinerive që përdoren për mbushje që cilësohen moderne krahasuar me ato tradicionale”, thotë ajo.

Ndërkohë, produktet e reja të “Blerta’s Face Care”, siç tregon Prebreza, kanë ardhur si kërkesa nga klientët ndër vite.

“Pas disa vitesh pune dhe testimi të tyre ne lansuam produktet e reja, dhe kishim përgjegjësi të madhe pasi produktet paraprake kanë rezultuar me shumë sukses, prandaj i kushtuam shumë kohë dhe hulumtim po ashtu edhe bashkëpunim me kozmetologë nga vende të tjera e në veçanti edhe nga Sofja”, thotë ajo.

Trendi i kozmetikës organike

Kur flet për materialet e punës, Prebreza numëron se janë baza bimore, vajra, vitamina, barishte, dhe shumë përbërës unikë që thotë se vijnë nga vende shumë të largëta. Ndërsa, sa u përket mjeteve të punës janë gjysmë-automatike.

“Pra, edhe faktori njeri është i kyçur në mjetet tona, kurse mbushja e produkteve realizohet nga këto pajisje”, thotë ajo.

Duke e përshkruar procesin e punës, Prebreza tregon se gjithçka fillon me prodhimin e bazave dhe përgatitjen e tyre.

“Këtë punë e bëjmë unë dhe bashkëshorti im. Pas kësaj përgatitjeje, radha vjen te pakot të cilat ambalazhohen nga ne. Vendosja e tiketave dhe ambalazhimi i tyre bëhet nga një punëtor i caktuar. Pakot e ambalazhuara vijnë në punëtorinë dhe ndahen, në makineri vendoset kremi i caktuar, do të thotë i akneve apo i rrudhave, dhe fillon mbushja e tyre. Pastaj realizimi i stokut dhe ruajtja e tyre në vende të ftohta dhe temperatura që u duhen produkteve tona”, thotë Prebreza. Në fund u mbetet puna agjentëve të shitjes, të cilët merren me klientët, e të cilat i sistemojnë në sistemin e postës porositë duke i bërë të gatshme për dërgesa.

Prebreza ka kryer studimet themelore për sociologji. Thotë kjo i ka ndihmuar goxha në punën me kremrat.

“Meqë kam mbaruar studimet në sociologji mund të them lirisht se ka qenë ndihmesë më se e madhe në biznesin tim, pasi si një sociologe mundohesh t’i analizosh raportet me njerëzit që të rrethojnë, t’i njohësh kërkesat e klientit dhe të gjesh mënyrën e duhur të komunikimit me klientë”, thotë Prebreza, që shton se është munduar që këto njohuri t’i përcjellë tek agjentët e rrjeteve sociale dhe në përgjithësi.

“Forma e punës që ne e aplikojmë është E-Comerce, pra dyqani virtual që nga web site ynë e pas tij është integrimi në rrjete sociale”, thotë Prebreza.

Ajo tregon se shitjet e para qenë realizuar përmes rrjeteve sociale, pra përmes një komunikimi direkt klientë e shitës.

“Pas zgjerimit të shitjeve dhe stafit të punës, ne kemi zhvilluar format më moderne të inovacionit të teknologjisë komunikative, apo click-shop, që i mundëson klientit që të realizojë porosinë për vetëm disa sekonda dhe të zgjedhë metodën e pagesës sido që ai dëshiron me credit carte, paypal, apo cash after delivery (pagesa pas pranimit) e që shumica e klientëve vendorë e shfrytëzojnë këtë të fundit”, thotë ajo.

Prebreza thotë se “si kompania e parë në Kosovë e prodhimit të kozmetikës organike janë munduar të japin leksione dhe këshilla se si duhet trajtuar lëkurën bazuar në problemet që i ka ajo dhe kujdesin ndaj saj, dhe normalisht se klientët e parë janë ata që kanë pasur probleme me lëkurën, duke vazhduar me klientë që e dinë rëndësinë për të pasur një krem bimor, i cili e mirëmban dhe e ushqen lëkurën, e që të mos vijë te problemet me të”.

“Sipas statistikave ndërkombëtare, kozmetika organike dhe trendi i produkteve organike nëpër botë kanë rritje të jashtëzakonshme e kjo falë vetëdijesimit të njeriut se shëndeti në përgjithësi e pastaj lëkura, flokët dhe bukuria e njeriut varen krejtësisht nga produktet bimore dhe aplikimit të tyre në çdo aspekt”, thotë Prebreza.

Ajo shpreh bindjen se në të kaluarën nuk kanë pasur impakt të madh diferencimi mes përbërësve kimikë e atyre organikë, sikurse që e ka sot dhe kjo, sipas saj, është shumë pozitive dhe duhet synuar përherë drejt këtyre normave, dhe tani vlerësohet nga shumica e njerëzve.

Statistikat që i ka Prebreza e vendosin atë në majë sa u përket shitjeve të produkteve të tilla, nga të gjitha kompanitë simotra në Ballkan. E Prebreza e ka një plan për të ardhmen.

“Ne vetëm se kemi pasur disa vizita biznesore në Dubai për të diskutuar rreth biznes-planit që e kemi punuar e brenda tij është i detajizuar realizimi i fabrikës, gjetja e distributorëve dhe zgjerimi në tërë botën nëpër dyqane kozmetike, sigurisht edhe debutimi në marketet më të mëdha të kozmetikës në botë”, thotë ajo.

“Një lëkurë e bukur është gjysma e bukurisë”

Prebreza thotë se me “Blerta’s Face Care” kanë dashur që të jenë zgjidhja e problemeve të lëkurës.

“Mendoj se ia kemi dalë mirë idesë sonë. Një lëkurë e bukur është gjysma e bukurisë, andaj që ajo të jetë e pastër dhe e shkëlqyer ashtu siç gjithë e dëshirojnë, sepse kjo i bën njerëzit të ndihen më mirë me veten e tyre, të kenë vetëbesimin që e meritojnë dhe pikërisht kremrat tona kanë arritur diçka të tillë te klientët tanë”, thotë ajo, që për fund ka një porosi për shtetin e një për qytetarët.

“Sistemi shtetëror duhet t’i përkrahë bizneset vendore, ndërsa populli ynë t’i njohë dhe t’i pranojë produktet vendore. Po ashtu, porosi personale do të ishte ajo që zoti të falë një lëkurë të bukur, është detyrë e jotja të kujdesesh për të që mosha e shtyrë të mos jetë një problem i madh për dukjen tuaj”.