Kulturë

“Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij” – eksponat në muzeologji

“Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij” përshkohet edhe nga një refleksivitet empirik autorial

Në mesin e librave të botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në vitin 2019 është edhe monografia e titulluar “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij” i shkruar nga etnologu Valon Shkodra. Duke marrë parasysh se botimet në fushën e muzeologjisë në Kosovë janë mjaft të fragmentuara dhe të pakta, dalja në dritë e një monografie të këtillë ndihet si plotësim i një boshllëku të konsiderueshëm.

Ky studim përveçqë është bërë në kuadër të studimeve master të autorit, veçanti dhe motivim ka mishërimin e tij me këtë institucion gjatë punës disavjeçare aty, si kustos. Kjo bën që monografia të përshkohet edhe nga një refleksivitet empirik autorial. Libri ka gjithsej 243 faqe dhe është i organizuar në tre kapituj. Në kreun e parë Valon Shkodra fokusohet në të dhënat e përgjithshme për muzeologjinë si shkencë me ç’rast sjell edhe një numër përkufizimesh të konceptimit të muzeut në vazhdën kohore. Pastaj vazhdon me të dhënat për kontributin e studiuesve shqiptarë në muzeologji duke mos lënë anash të dhënat dhe veçantitë e koleksioneve të para private në Kosovë, të cilat ishin celula të zhvillimit të mëtejmë të muzeut në Kosovë.

Për të plotësuar përshkrimin historik të zhvillimit të muzeologjisë në Kosovë, Shkodra ndalet edhe te kontributi i autorëve të huaj, si dhe numëron revistat dhe publikimet ekzistuese në lidhje me muzeologjinë në Kosovë. Pasqyrën për muzeologjinë në Kosovë në aspektin historik autori e përfundon me të dhënat për llojet e ndryshme të muzeve në vend, duke u ndalur te historiku i themelimit të Muzeut të Kosovës dhe veçoritë e punës së tij para dhe pas luftës së vitit 1999.

Në këtë pjesë shihet qartë roli i shtetësisë dhe ideologjive në konstruktimin e interpretimeve të ekspozitave dhe trashëgimisë në kuadër të Muzeut në fjalë. Kreu i dytë dhe qendror i kësaj monografie, siç shihet edhe nga vetë titulli i këtij botimi, fokusohet në Muzeun Etnologjik të Prishtinës “Eminxhiku”, i cili është pjesë e Muzeut Kombëtar, por që për shkak të veçorive që ky muze ka, ka arritur të bëhet njëri ndër atraksionet më të mëdha turistike në Kosovë. Përveçqë hollësisht përshkruan arkitekturën e veçantë të muzeut, i cili përbëhet nga disa ndërtesa, dy të banimit, të shekujve XVIII dhe XIX, dhe një tjetër në funksion të ekonomisë shtëpiake, Valon Shkodra jep të dhëna edhe për konceptin tematik e interpretues të kulturës tradicionale në këtë muze.

Rrëfimi është shtruar në kontekst të ciklit të jetës sipas traditës, me ç’rast kthina të veçanta (dhoma) flasin për ritet kryesore të këtij cikli, atë të lindjes, të martesës dhe të vdekjes. Meqenëse muzeu gjendet në Prishtinë, veçanti e konceptimit interpretues në këtë muze është tejkalimi i prezantimit të kulturës tradicionale nga lokale e urbane, edhe në atë të fshatit apo, më mirë thënë, më të përgjithshme të Kosovës.