Kulturë

Jazz-muzikanti i historive personale nëpërmjet tingujve

Descriptive Text

Marcos Varela është rritur duke dëgjuar incizime të vjetra, koleksione të prindërve të tij. Kështu shprehte interesimin e tij në muzikë. Ani pse kalonte orë të tëra duke dëgjuar muzikë, asnjëherë gjatë asaj periudhe nuk i kishte rënë ndonjë instrumenti.

Zhanret që i dëgjonte ishin të ndryshme e më vonë u bënë edhe inspirim në punën e tij si muzikant. Gërshetimi i stileve të ndryshme u bë përbërësi sekret në kompozimet e tij. Shumë blues, funk, ranchera, texas swing, gospel, muzikë afro-kubane, janë disa prej stileve që ndikojnë në muzikën e tij. Tingujt blues të kitaristit amerikan Albert Nelson, i njohur si Albert King, ishin ndër të parët që kanë lënë shenjë tek ai. Përqendrohej veçmas te muzikantët që vinin nga Houstoni, vendlindja e tij, dhe nga Teksasi. Në mesin e tyre nga ishte edhe kitaristi Freddie King. Këto dy figura të njohura të muzikës blues u bënë udhërrëfyes dhe e dërguan te muzika jazz, ku u thellua edhe më. Filloi të dëgjonte trumpetistin amerikan Miles Davis, e saksofonistët amerikanë, Sonny Rollins e John Coltrane. Duke dëgjuar artistë të tillë, nisi karriera e tij, shkruan KOHA Ditore.

Për herë të parë filloi që të luante në kontrabas si 17-vjeçar dhe arriti që brenda një viti të bëhej një nga muzikantët e nderuar nga “NFAA International Jazz”. Tani ai është mjeshtër i kontrabasit, njëkohësisht edhe aranzhues i këngëve e kompozitor. Në mars, kontrabasisti – i cili ka luajtur me legjenda të jazit, si bateristët Billy Hart e Charli Persip dhe kantuautoren Martha Wainwright – erdhi edhe në Prishtinë. Bashkë me miqtë e tij, Bill McHenry në saksofon, Leo Genovese në piano dhe Darren Beckett në bateri, performuan në natën e tretë të “Prishtina Jazz Week”.

Përmes kompozimeve, kryeqytetit i dhuruan një mbrëmje të jazzit bashkëkohor. As aty nuk mungoi gërshetimi i jazzit me stile të tjera. Mbrëmjen e nisi me “Colinas de Santa Marina” nga albumi i tij “San Ygnacio” dhe e mbylli më kompozimin “Where The Wild Things Are”, që përthekon tinguj rock. “Njerëzve u pëlqen ajo këngë, besoj që është hiti im”, thotë Varela për këtë këngë, që po ashtu është pjesë e albumit “San Ygnacio” të vitit 2016...