Kulturë

Fituesi i çmimeve “Oscar”, Paul Haggis, sot ligjëron para studentëve të Regjisë në UP

Skenaristi, producenti dhe regjisori me renome ndërkombëtare, Paul Haggis, do t’u mbajë një ligjëratë studentëve të Regjisë dhe Televizionit në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Haggis, fitues i çmimeve Oscar për fotografitë më të mira në filmat Million Dollar Baby (2004) dhe Crash (2005), do të ligjërojë sot prej orës 17:00 në kuadër të festivalit të studentëve të Katedrës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit të Fakultetit të Arteve “Cineup”.

“Kjo masterklasë është e dyta e këtij lloji, sepse ditën e djeshme festivali mbajti mastërklasën me prof. dr. Enver Petrovcin, e cila zgjoi interesimin e shumë studentëve. Festivali virtual, i cili u hap zyrtarisht më 5 maj, do të transmetojë 31 filma të studentëve të kësaj katedre”, thuhet në një komunikatë të UP-së.

Loreta Berbatovci, koordinatore e festivalit dhe studente e kësaj katedre, tha se në festival do të shfaqën filmat e studentëve gjatë katër viteve studim, por edhe të atyre që kanë diplomuar.

Ky është edicioni i parë i “Cineup” dhe po mbahet virtualisht për shkak të pandemisë, por sipas organizatorëve, mëtohet të bëhet tradicional, duke u hapur viteve të ardhshme edhe për studentët e vendeve të tjera.