Kulturë

“Cine UP” nis rrugëtimin për lartësimin e filmit vendor edhe me studentë

Descriptive Text

Me një ceremoni aspak të zakontë është hapur edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të filmit studentor “Cine UP”. Ata që kanë dashur ta ndjekin natën e parë është dashur që të lidheshin në faqen “Fakulteti i Arteve – Regji Filmi dhe TV” në “Facebook”. E kanë ndjekur Festivalin nga kompjuterët apo telefonat e mençur. Njëlloj duhet që të veprojnë edhe për të parë filmat që janë në garë gjatë pesë ditëve të ardhshme, sa do të zgjasë festivali. Edicioni i sivjetmë mbahet online, për shkak të pandemisë së virusit COVID-19. E vitet e ardhshme synimet janë më të mëdha. Ani pse është cilësuar si ndërkombëtar, sivjet janë vetëm studentët vendorë ata që marrin pjesë me mbi 30 vepra filmike. Në mot do të ndërkombëtarizohet.

Drejtori i Festivalit, regjisori Jeton Ahmetaj, ka thënë se synim është që kinemaja të shkojë sa më lart, e në mënyrë simbolike, sipas tij, studentët e kanë thënë këtë edhe nëpërmjet emërtimit që ia kanë venë festivalit: “Cine UP”.

“Kolona”, nën regji të Ujkan Hysajt, ka ndezur ekranin. Filmi fort i suksesshëm i vitit 2012, i cili ka rrëmbyer gati 20 çmime në festivale ndërkombëtare, është jashtë gare. Ka një arsye shtesë për të cilën “Cine UP” u hap me këtë film 22-minutësh. Hysaj mori gradën master me këtë film, tek u bë dëshmi e suksesit të një regjisori të ri. Rrëfimi për luftën e fundit në Kosovë, i realizuar si film në të cilin gërshetohen dy periudha të ndryshme, u bë udhërrëfyes, shembull që shërben si mësim për filmbërësit e rinj.

“Kolona” kthen në shirit filmik skenarin e Besian Hysajt. Filmi rrëfen historinë e familjes së Ademit (Synaj Raça), i cili në vitin 1999 vendos t’i bashkohet kolonës së refugjatëve shqiptarë të përndjekur nga pushteti serb. Veç Raçës, në film luajnë edhe aktorët Arbnesha Grabovci, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vlado Jovanovski, Bislim Muçaj e të tjerë. Drejtor fotografie është Samir Karahoda e muzikën e ka bërë Valton Beqiri.

Filmi që sot (e mërkurë) do ta hapë garën është “I joti”, nën regji të studentes Albana Nila, për të vazhduar me “Shumë torte për një ditëlindje” nga Albin Salihu, “Goditja” nga Alper Ziglir, “Lyerja” nga Arlind Islami, “Orchestra” nga Dita Shaqiri, “Bzzz” nga Donart Zymberi, “Në dhomën e djajve” nga Ermal Duli, “Old man” nga Taulant Kuleta, “Kulla e prisht’” nga Sovran Nrecaj, “Gjurmët” nga Qëndresa Krasniqi, “Palaqo” nga Kushtrim Haxha dhe “Sara” nga Durim Bajrami.

Themeluesi i festivalit ndërkombëtar të filmit studentor “Cine UP”, profesori e regjisori Jeton Ahmetaj, ka thënë se Katedra e Filmit dhe TV-së ka bërë që të shtohet një platformë e cila mundëson që shumë më natyrshëm të krijohen ura bashkëpunimi me universitete simotra.

“Besoj që nga ky festival nuk do të përfitojë vetëm Fakulteti i Arteve e Universiteti i Prishtinës, por e gjithë skena artdashëse dhe kinematografike në Kosovë. Pa mbështetjen e studentëve dhe kolegëve tanë nuk do të kishim mundësi as që të mendonim synimin tonë për të themeluar një festival i cili do të jetë pjesë e Universitetit, respektivisht e Katedrës së Filmit dhe TV-së”, ka thënë ai përmes lidhjes virutale.

E rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë se është i lumtur që studentët, por edhe stafi akademik, krahas ligjëratave që janë duke u mbajtur online për shkak të pandemisë, po kryejnë edhe punë të tjera kreative.

“Pres që ky festival të jetë një festival kulminant, pasi që përveç veprave origjinale të studentëve tanë do të ketë edhe pjesë të tjera që do të jepen nga profesionistë kulminantë të kësaj fushe, të cilët kanë fituar edhe çmime. Ky aktivitet dhe shumë aktivitete të tjera që janë duke u organizuar nga Universiteti i Prishtinës e ngrenë madhështinë e Universitetit, e veçanërisht kur dihet që ato organizohen nga studentët në krye me profesorët e tyre”, ka thënë ai.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se i vjen mirë që me përkushtimin e profesorëve dhe të studentëve është krijuar një festival i tillë. Ka treguar se MKRS-ja do të vazhdojë që të përkrahë studentët dhe projektet e tyre.