Kulturë

Lehtësimi i masave përfshin edhe rihapjen prej muzeve deri te kinematë

Teatri Kombëtar i Kosovës prej 13 marsit ka pezulluar punën ashtu sikurse të gjitha institucionet kulturore

Janë tri faza nëpërmjet të cilave Ministria e Shëndetësisë synon që të fillohet me kthimin në normalitet pas masave të marra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit. Gjithnjë nëse gjendja do të shkojë sipas planifikimeve, fillimi i qershorit del të jetë edhe hapi i fundit nëpërmjet të cilit do të rikthehet veprimtaria kulturore.

Paraprakisht prej 18 majit planifikohet hapja e muzeve dhe galerive. Përderisa teatrot dhe kinematë të hapen prej dy qershorit. Por përveç këtij paralajmërimi, ende nuk ka sqarime të tjera. Përderisa galeritë e muzetë rëndom kanë më pak vizitorë, teatrot e kinematë ku shikuesit janë të koncentruar në një periudhë kohore, ende nuk e dinë nëse do të lejohet puna me kapacitete të plota, apo do t’i përmbahen ndonjë vendimi të ri i cili do të përcaktonte kushtet e funksionimit duke pasur parasysh rrezikun nga koronavirusi.

Përderisa teatrot e kanë të pamundur të realizojnë planet vjetore e nuk e dinë nëse mund të nxjerrin ndonjë premierë në pjesën e parë të vitit, kinematë kanë halle të tjera. Nuk dihet se kur do të mund të fillojë distribuimi i filmave pasi në të kundërtën do të duhet të ndiznin ekranet me programin “e vjetër”. Janë në pritje të rekomandimeve të reja sa i përket kushteve për funksionim. E gati tre muaj në pamundësi lëvizjeje në kushte normale llogaritet se shikimi i filmave online të ketë qenë ndër aktivitetet kryesore të qytetarëve. Edhe kjo shihet si rrethane që kinematë të mos kenë publikun e pritur.

Tetari Kombëtar i Kosovës, sikurse të gjitha institucionet tjera kulturore, nga 13 marsi ia ka vënë drynin portës. Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së, Adrian Morina, ka thënë se është lajm i mirë nëse rifillohet puna prej 2 qershorit. Ka thënë se ende nuk është e qartë nëse do të lejohen shfaqjet me publik apo vetëm kthimi i punëtorëve në punë.

“Besoj se gjatë ditëve të ardhshme do ta kemi më të qartë. Për ne do te ishte shumë e mirëseardhur që në fillim të fazës së dytë të na lejoheshin grumbullimet dhe fillimet e provave për premierën e radhës të cilën do të mund ta realizonim në fillim të qershorit”, ka thënë ai.

Kur Teatri kishte pezulluar punën, po përgatitej shfaqja “Zgjimi i pranverës” me tekst të Frank Wedekind, nën regji të Zana Hoxhës, që ishte paraparë të jepet premierë më 19 mars. Morina ka thënë se gjatë javës së ardhshme në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës do të sqarohet se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm.

“Përndryshe, si menaxhment i TKK-së kemi edhe një plan B edhe për realizimin e një premiere në qiell te hapur, përkatësisht në amfiteatrin e Gërmisë. Nëse kjo do të na lejohej, atëherë do të ishim të lumtur. Kjo do të sillte një energji pozitive jo vetëm te aktoret, por edhe te publiku i cili ka qenë gjatë i ngujuar nëpër shtëpitë e tyre dhe do të kishin mundësi të shihnin teatër në ambient të hapur”, ka thënë ai.

Pavarësisht se si do të veprohet, ai ka thënë se do të jenë në koordinim me Ministrinë e Kulturës dhe atë të Shëndetësisë. Sa i përket pushimit midis dy sezoneve artistike gjatë muajve korrik e gusht, sipas Morinës, pritet të vendoset bashkë me Ministrinë e Kulturës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.