Kulturë

Muzeu Kombëtar ekspozon virtualisht figurën e Perëndeshës së fitores

Artefakti që mbart figurën e  Perëndeshës së fitores ishte gjetur në bregun pranë derdhjes së kanalit të Vivarit në Vrinë, Butrint, në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar

Muzeu Historik Kombëtar ka pasqyruar përmes një videoje një nga thesaret që posedon - relievin me figurën e Nikes.

Artefakti që mbart figurën e Perëndeshës së fitores ishte gjetur në bregun pranë derdhjes së kanalit të Vivarit në Vrinë, Butrint, në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Ky reliev, sipas studiuesve, dyshohet se mund të lidhet me një monument ende të pazbuluar.

Stili, punimi dhe lloji i veçantë i mermerit dëshmojnë për prejardhjen e relievit që datohet në gjysmën e dytë të shekullit V para Krishtit. Relievi paraqet Niken, Perëndeshën e fitores, me qëndrim triumfal dhe me flatra të hapura. Dora e majtë e saj mbështetet mbi tropajon, shenjë e fitores, formuar nga parzmore armike vendosur mbi shkëmb. Dora tjetër mban palat e hitonit, derdhur hijshëm mbi trup në stilin e skulptorit të famshëm athinas të shekullit V para Krishtit, Fidias. Skena vazhdonte në të dy anët e pllakës duke qenë pjesë e frizit të një monumenti, siç tregojnë pjesët anësore për kapjen me ganxha metalike dhe plumb, raporton KOHA.

Muzeu, nëpërmjet një videoje në rrjete sociale, i ka krijuar qasje publikut që në mënyrë virtuale ta shohë këtë artefakt të veçantë. Në mitologjinë helene, Nike ishte caktuar karrociere e Zeusit. Në pothuajse të gjitha statujat dhe pikturat, Nike paraqitet me flatra, ku një nga statujat më të famshme të saj është “Fitorja me Flatra e Samothrakës”, e cila gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris.