Kulturë

“In Deep” për drejtuesit e vërtetë të ShBA-së

Spektri i “shtetit të thellë” ka shërbyer si kokë e dobishme turku në presidencën e Donald Trumpit, me demek vendi i rezistencës ndaj qeverisjes së tij.

Që në krye të librit të tij “In Deep”, David Rohde, fitues i dyfishtë i çmimit “Pulitzer” si gazetar, pyet “nëse ekziston ‘shteti i thellë’ në Amerikë”. Në fillim të kapitullit të fundit, ai përfundon, “Nuk ka ‘shtet të thellë’”. Por në faqet ndërmjet, ai ngre më shumë pyetje sesa që jep përgjigje, shkruan KOHA.

Ai e ftillon me një histori të shpejtë të frazës, që është rrënjëzuar në Egjipt e Turqi, ku ushtria drejton gjithçka dhe mbyt në zanafillë çdo shfaqje të reformës demokratike. Ish-profesori në Berkeley, Dale Scott fillimisht e përdori atë për ushtrinë amerikane dhe elitat e inteligjencës në librin e quajtur “The Road to 9/11”.

E djathta alternative e përvetësoi në dhjetor të vitit 2016, kur një autor i panjohur, që përdorte emrin e letrave Virgil, shkroi “The Deep State vs. Donald Trump”, një artikull katër mijë fjalësh në Breitbart News, që botohej asokohe nga Steve Bannon, i cili qe një prej strategëve kryesorë të Trumpit.

Virgili e zgjeroi termin për të ngërthyer “kompleksin e burokratëve, teknokratëve dhe plutokratëve që i duan gjërat ashtu siç janë” – përfshirë “shumë të politizuarat” agjenci inteligjente dhe “aparatçikët liberalë” të rrënjosur nga presidenti Barack Obama – që tani ishin përfshirë në një “përpjekje të madhe pushteti” me presidentin e sapozgjedhur. Vetë Trumpi e përdori termin, njofton Rohde, më 16 korrik, 2017.

A besojnë Trumpi dhe Bannon – apo kushdo tjetër në pushtet – në këtë teori konspiracioni? Rohde vërtitet poshtë e përpjetë me këtë pyetje. Ai vë re kalimthi (më shumë hollësi do të ishin të mirëseardhura) që Bannoni ia ushqeu këtë ide Trumpit si një mënyrë për ta bërë atë “mos t’i zinte besë këshillës së zyrtarëve të karrierës në qeveri që kundërshtonin qëllimet e politikës së Bannonit”.

Ndërkohë, Trumpi së shpejti e kuptoi fuqinë e saj si mjet narrativ, duke e zënë n’gojësh atë për të paktën 23 herë gjatë vitit të kaluar. Por Rohde shkruan edhe se, sidomos gjatë hetimit për lidhjet e Robert Muellerit me Rusinë, Trumpi nisi të besonte se “një grup demokratësh dhe pjesëtarët e ‘shtetit të thellë’ po përpiqeshin ta largonin nga pushteti”.