Kulturë

“Të dua” si homazh për ikonën me kryeveprën e synth-popit shqip

Descriptive Text

Ruajtja dhe kultivimi i muzikës moderne shqipe të viteve ’80 mund t’i ndihmojnë shoqërisë. Në tërësinë e saj, kjo trashëgimi kthehet si mesazh se për zhvillimin në jetë duhen guxim, dashuri e sfidë pozitive ndaj vetes e të tjerëve.

Me këto konsiderata në mendje, muzikanti Tomor Kuçi ka rimarrë diçka nga repertori muzikor i para tri dekadave. Të krijuara në rrethanat kur skena muzikore në Kosovë përshkohej nga valët e reja muzikore, këngët e bendit “Vivien” vazhdojnë të dëgjohen edhe sot, madje edhe të këndohen nga artistët e rinj.

Njëra prej tyre është ripërpunuar nga Kuçi, i cili ka risjellë njërën nga këngët më të njohura të interpretuara nga Violeta Rexhepagiqi. Rikrijimi i këngës “Të dua” është mënyra se si ai ka zgjedhur të falënderojë këngëtaren, e cila vdiq të enjten e 16 prillit në moshën 55-vjeçare. “Në sytë e tua humbin sytë e mia/ Ti më buzëqesh dhe më përkdhel/ Kuptoj diçka që gjer sot nuk e dija/ Të dua, a nuk e vëren?”, janë vargjet e para të këngës, të cilën Kuçi tashmë e ka plasuar në kanalin e tij në YouTube, me një video që përmban vetëm foton e portretit me imazhin ikonik të Rexhepagiqit dhe vargjet që lëvizin. Audio-produksionin, vokalet dhe instrumentet i ka bërë krejt vetë Kuçi.

“Si gjithmonë, kjo këngë përnjëherë më mbushi plot me inspirim. Si rezultat i shpërthimit të këtyre ndjenjave më lindi njëfarë nevoje e menjëhershme për të falënderuar disi Violetën për krejt këtë veprimtari që ka lënë”, ka thënë Kuçi për KOHËN.

Kjo këngë, ka treguar artisti, kishte shërbyer si vjegëz me të cilën do të njihej me grupin “Vivien”. “Në të gjej shumë pjesë të vetes sime si këngë e bukur me përplot energji, ritëm, nostalgji, guxim, sinqeritet e dashuri. Thjesht kryevepër e synth-popit shqip!”. Sipas tij, Rexhepagiqi që nga fillimi e kishte bërë të qartë rëndësinë e shumë elementeve në formimin e një artisti. “Ajo ishte një këngëshkruese brilante me zë të veçantë e të bukur, me tekste unike e super-paraqitje përplot me ‘atitude’, një qëndrim shumë i fortë artistik”, ka thënë Kuçi.