Kulturë

Kujtime në dhurata frymëzuar nga natyra

Foto: KOHA

Thënia se “...në fund jeta nuk është ajo që kemi jetuar por ajo çka na kujtohet”, është udhërrëfimi i Doruntina Jasharit në punën që bën. Ajo beson që dhurata është forma më e mirë për krijimin dhe ruajtjen e kujtimeve.

“Prandaj ajo që vlerësoj më së shumti te një dhuratë është kujtimi që ajo mban dhe rëndësia që ka edhe për atë që e dhuron, edhe për atë që e pranon”, thotë Jashari.

E ajo punë e ka që këto kujtime të njerëzve t’i bëjë më të veçanta. T’i dekorojë ato. Për këtë art e zanat të saj ajo shpalos rrëfimin prej idesë fillestare që e shtyri në këtë punë, e deri te vizioni se si ta vazhdojë tutje këtë angazhim.

Prej hobit në profesion

Krejt në fillim të bisedës së saj për KOHËN, Jashari thotë se “gjithmonë i kanë pëlqyer gjërat e thjeshta, por të bukura”.

“Pothuajse gjithnjë dhuratat për miq dhe familjarë i kam përgatitur vetë”, thotë Jashari.

Në fakt, këtu do të niste gjithçka.

“Ishin pikërisht ata që duke e pëlqyer shumë punën time më shtynin që këtë hobi ta ktheja në një biznes të vogël”, thotë Jashari.

Nisi me gjëra teknike, që tingëllojnë si plan biznesi, duke bërë një listë të produkteve që ajo mund t’i bënte, një listë me materiale që i duheshin për të bërë produktet e pretenduara bashkë me mundësinë se si të siguroheshin ato, dhe së treti me një treg të synuar. Kështu, për secilin produkt veç e veç do ta bënte listën me materialet dhe tregun e synuar.

Më vonë do të niste me krijimin e dhuratave me porosi.

“Porositë, por edhe shitja fillimisht bëheshin kryesisht në rrjetet sociale, në platformën online”, thotë ajo.

Qysh në fillimet e veta, e edhe sot e kësaj dite, për të sfidë mbetet vështirësia në furnizimin me disa materiale me të cilat ajo punon.

“Më duhet t’i porosis jashtë Kosovës. Por përkrahja që më japin familjarët dhe miqtë më bën t’i tejkaloj këto vështirësi”, thotë ajo.

Punëdore në çdo detaj

Në “menynë” e produkteve që tash bën Doruntina Jashari është një gamë e gjerë.

“Në gamën e produkteve të mia mund të gjenden dhurata duke filluar nga një dhuratë mirëseardhjeje për të porsalindurit me një kornizë druri 3D me të dhënat e para për beben, një kuti letre me fotografi nga momentet më të bukura të kaluara me një shoqe, një kavanoz me thëniet më të dashura për nënën, e deri tek një buqetë lulesh nga sapuni për gjyshen”, tregon ajo.

Nuk mund të mungojnë këtu dhurata për raste e ditë të veçanta.

“Për festat e shënuara përgatis çdoherë një edicion special. Pra, dhurata për secilin e për çfarëdo rasti”, thotë ajo

Doruntina Jashari është e vetëdijshme për atë që e karakterizon në punën e saj. Prandaj e shpreh me krenari.

“Karakteristikë e produkteve të mia është që punohen me dorë deri në detajin më të vogël”, thotë ajo.

Frymëzimi nga natyra

Frymëzimin për të bërë dhurata Doruntina Jashari e gjen në natyrë.

“Produktet e mia i karakterizon elementi natyrë. Pra, punoj me materiale që gjenden në natyrë si druri, gurët, letra, xhami…”, numëron ajo, ndërsa tregon se materialin të cilin nuk e përdor pothuajse fare, përveçse për ndonjë detaj të vogël, është plastika, siç thotë ajo, për shkak të efektit të dëmshëm që ka tek njeriu dhe natyra.

“Furnizimin e bëj tek bizneset prodhuese në Kosovë, por për disa materiale më specifike furnizohem edhe jashtë Kosovës”, thotë ajo.

E kur flet për shitjen e produkteve të veta, Jashari thotë se e bën vetëm përmes rrjeteve sociale. Thotë se kjo është një mënyrë shumë e mirë. “Mund të arrish ta prezantosh punën tënde tek më shumë njerëz, dhe rrjedhimisht të tërheqësh më shumë blerës”, thotë ajo.

Në anën tjetër, ajo thotë se shitja online ka edhe të metat e saj.

“Kërkon më shumë punë për t’i paraqitur sa më mirë e sa me drejt produktet në fotografi, në mënyrë që konsumatori ta ketë sa më të qartë se si duken në të vërtetë”, thotë Jashari.

E deri tash, megjithatë, ajo thotë se është e kënaqur me procesin e shitjes nëpërmjet rrjeteve sociale.

Mbase kështu është edhe për faktin se dhuratat e saj tashmë kanë kaluar kufijtë e shtetit.

“Kam pasur porosi që nga dhuratat për të porsalindurit e deri tek dhuratat për pensionim, për lloj-lloj feste e rasti, por një porosi që ka qenë shumë e veçantë dhe e kam punuar me shumë dëshirë ka qenë një kornizë druri 3D e një djali nga Kosova që ia bënte dhuratë një spitali në Francë, në të cilin ai kishte gjetur shërim”, rrëfen ajo.

Nisur jo vetëm nga kjo, Jashari thotë se në një biznes krijues gjithnjë ka hapësirë për ide të reja.

“Dhe ato shfaqen kohë pas kohe. Pra, mendoj ta shtoj gamën e produkteve dhe ato të jenë sa më unike, dhe po ashtu synim tjetër është hapja e një dyqani fizik për produktet e mia”, thotë ajo.