Kulturë

“Zonjat e Kangës” në KTV

Premiera televizive e koncertit “Zonjat e Kangës” nga Edona Reshitaj do të vijë në transmetim mbrëmjen e 8 Marsit.

Këngëtarja dhe aktorja e njohur kosovare që kur e kishte menduar organizimin e këtij programi e kishte paralajmëruar si dhuratë për gratë në ditën e tyre dhe krejt kjo do vijë e finalizuar për shikuesit e Kohavisionit.

Koncerti recital ”Zonjat e Kangës", i dyti për Reshitajn, sjell interpretimin e këngëve të interpretuara nga disa prej divave të këngës shqiptare ndër vite, mes tyre edhe një këngë pak të njohur të Nexhmije Pagarushës.

Derisa për adhuruesit e muzikës të riorkestruara me mjeshtri nga Visar Kuçi do të vijnë edhe këngë nga Vaçe Zela, Liliana Çavolli, Merita Halili e këngëtare të tjera që kanë lënë gjurmë në memorien e shumë brezave.

Mes të tjerash në mbyllje të koncertit Reshitajt do të paraqitet e shoqëruar nga aktoret Ilire Vinca, Shengyl Ismaili, Rebeka Qena, Semira Latifi, Qëndresa Kajtazi, Edona Sopaj, Rabije Kryeziu, Kaltrinë Zeneli e Daniela Markaj për të interpretuar këngën “E kujtoj atë takim”. Kjo këngë është kompozuar nga Pranvera Badivuku në vitin 1974. Ndër vite kënga është kënduar nga këngëtarë të ndryshëm, mirëpo për herë të parë qe interpretuar nga Esat Bicurri, i cili u ekzekutua nga forcat paramilitare serbe në vitin 1999.

Kompozitorja Badivuku, ndryshe e njohur si “zonja e okarinave” është një nga kompozitoret e para kosovare dhe njihet për kontributin e madh në edukimin e brezave të shumtë në Kosovë.

Mbyllja e koncertit me një prej krijimeve të saj nuk është e rastësishme, ndryshe nuk do të mund të ishte i plotë mozaiku i grave që kanë vënë themelet e kultivimit të muzikës së lehtë dhe popullore ndër shqiptarë.

Për një udhëtim të veçantë muzikor, prej orës 20:30 vetëm në Kohavision.