Kulturë

“ODA” për 17-vjetor me “Sikur kjo të ishte shfaqje” e në luftë për mbijetesë

Këtu e 17 vjet më parë, kryeqytetit iu shtua “ODA”, institucioni i pavarur teatror. Që atëherë, ky teatër ka sjellë një frymë të re të kulturës, duke pritur në ambientet e tij shfaqje të ndryshme, projekte kinematografike e koncerte të zhanreve të llojllojshme. U bë vendtakim i artistëve shqiptarë por edhe më gjerë, një skenë e hapur për të gjithë. Por, “prapaskena” ka tjetër rrëfim – një rrugëtim jo fort i lehtë. Edhe tash kur feston kaq vite punë, “ODA” vazhdon të përballet me probleme financiare e udhëheqësit e teatrit ndihen të anashkaluar.

Për ta festuar këtë përvjetor, “ODA”, të mërkurën mbrëma, ka risjellë shfaqjen “Sikur kjo të ishte shfaqje” nën regji të Agon Myftarit, që pati premierën para tetë vjetësh. Bazuar në dramën e Almir Imshireviqit, “Sikur...” është bashkëprodhim i teatrit “ODA” me grupin teatror "La Rreme", themeluar më 2012.

“Sa jemi ne si qenie njerëzore të vetëdijshme për rrethanat në të cilat gjendemi, duke qenë se shpeshherë nuk e çmojmë faktin se si ngjarjet rreth nesh na formësojnë duke na ndryshuar përjetë. Kjo qasje do të mundësojë kuptim më të mirë dhe pranim të së vërtetës të personit tjetër”, është shkruar në sinopsisin e kësaj shfaqjeje, ku luajnë aktorët Rebeka Qena, Adrian Morina, Armend Smajli dhe Besnik Krapi. Vitin e kaluar, “ODA” kishte festuar me premierën e shfaqjes “Graviteti” me tekst të Lirak Çelajt, nën regji të Florent Mehmetit. Ka qenë një lloj mozaiku historik.

Aktori Armend Smajli, pas shfaqjes, ka thënë se është i lidhur emocionalisht me teatrin “ODA”, të cilin e ka vlerësuar për projektet që i ka sjellë ndër vite, përfshirë edhe projektin “Sikur kjo të ishte shfaqje” që, sipas tij, ka pasur një rrugëtim të suksesshëm.

“Unë edhe gjenerata ime e kemi një lidhje emocionale sepse provimet e fakultetit i kemi mbajtur në teatrin ‘ODA’, për shkak se hapësirat tjera ishin të zëna dhe në një mënyrë jemi rritur me këtë teatër”, ka thënë ai.

Themeluesit “ODA”-s, aktori Lirak Çelaj dhe regjisori Florent Mehmeti, në fillimet e këtij teatri, besonin se në të ardhmen, mundësitë që skena e pavarur kulturore të lulëzonte në Kosovë do të ishin shumë të mëdha. Por, edhe pas 17 vjetësh, Mehmeti ka thënë se fatkeqësisht nuk ka pluralitet artistik dhe se ata kanë qëndruar me njëfarë kryeneçësie/ Kreshnik Bekteshi.

© KOHA Ditore