Kulturë

Gjon Muharremaj do ta përfaqësojë Zvicrën në Eurovizion

Foto: Gjon Muharremaj / Facebook

Këngëtari me prejardhje shqiptare, Gjon Muharremaj, do ta përfaqësojë Zvicrën në Eurovizionin e sivjetmë, që mbahet në Rotterdam gjatë datave 12 deri më 16 maj, ka bërë të ditur transmetuesi publik zviceran, SRF.

Muharremaj, i njohur me emrin artistik Gjon’s Tears do të marrë pjesë në këtë festival evropian të këngës me këngën “Repondez-moi”, raportojnë mediet zvicerane, transmeton Koha.net.

“Dua që në Eurovizion të jap gjithçka prej vetes dhe ta shfaq krenarinë për atë se kush jam, prej nga vij dhe çfarë kam arritur. Dua që përmes këngës “’Repondez-moi’ t’i trimëroj njerëzit që ta ndjekin rrugën e tyre”, ka thënë ai.

Mediet zvicerane shkruajnë për prejardhjen e këngëtarit, babai i të cilit është nga Kosova dhe nëna nga Shqipëria.

Ai edhe vetë e thekson këtë gjë: “Ndonëse jam rritur në Zvicër dhe këtu e kam vendlindjen, çështja e prejardhjes më preokupon shumë”.