Kulturë

Pianistë të dy gjeneratave në harmoni për kompozitorët e mëdhenj

Descriptive Text

E ndriçuar vetëm pjesërisht, Salla e Kuqe është përshkuar nga tingujt e pianos me një goxha repertor kompozitorësh të mëdhenj botërorë. Drita që binte mbi dy virtuozët e përkulur mbi piano e ka bërë ripërjetimin edhe më të veçantë. Për mbi katërdhjetë minuta, publikut kryeqytetas iu dhuruan shkëputje të përzgjedhura nga Mozart, Brahms, Ravel e Kusuma. Profesori dhe pianisti Agron Shujaku ka zgjedhur një student të tij që bashkë, si duo, të sprovonin veten me një program mjaft të vëllimshëm. E 15-vjeçari Ledian Shala ia doli mbanë kësaj sprove në duetin pianistik të mbajtur të mërkurën mbrëma në “Sallën e Kuqe”.

Ftesën e profesorit të vet, Lediani e kishte marrë goxha seriozisht. Nga muaji dhjetor kishte nisur me përgatitjet për të parin koncert ku interpretoi kompozitorët e mëdhenj.

“Përgatitjet kanë shkuar ashtu siç e kam pritur dhe jam i lumtur që koncerti doli përtej parashikimeve të mia”, ka thënë pianisti i ri pas koncertit teksa përshëndetej e përqafohej nga të pranishmit. “Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë që performova bashkë me profesorin tim të pianos. Ishte diçka e re për mua të performoja me këta kompozitorë”.

Ndërsa ka shprehur gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në gara të reja në piano, Shala tashmë ka renditur sukseset e para. Pos garave të shumta, vitin e kaluar ai mori çmim special në edicionin e 12-të të “Pianistit të Ri 2019”.

Kurse pianisti Agron Shujaku ka vlerësuar performancën bashkë me studentin e vet teksa ka thënë se artistët gjithnjë kanë një ndjenjë të paqartë pas koncerteve.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)