Kulturë

Në Muzeun e Kosovës u hap ekspozita personale e Agron Mulliqit

Prishtinë, 26 maj - Duken si skica shqiponjash, apo elemente të qilimave e artizanaleve të tjera tradicionale. Por realisht në vepra fshihen pjesëza të trashëgimisë kulturore që vijnë në një tjetër rrafsh dhe autor i tyre është piktori Agron Mulliqi. Nëpërmjet pikturave shumëngjyrëshe, ai “riciklon” pjesë të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Në një tjetër format, për dallim nga ai tradicional, këto elemente qëndrojnë njëra pranë tjetrës në ekspozitën personale që është hapur ambientet e Muzeut të Kosovës. Shtëpia që ruan trashëgiminë e luajtshme të vendit është bërë nikoqir i veprave që vijnë tamam me temat që trajtohen në këtë institucion, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, ka thënë se kjo ekspozitë ka një vlerë të veçantë si punë e piktorit Mulliqi. Boshtrakaj ka thënë se Mulliqi e shfrytëzon traditën si burim për krijimtarinë e vet.

“Jemi shumë të interesuar që të kemi edhe artistë që interpretojnë traditën dhe projekte inovative, të cilat thonë diçka për gjeneratën e re dhe vitin 2017 e tutje”, ka thënë ai.

Kuratori i ekspozitës që nuk mban ndonjë titull, Ilir Muharremi, ka thënë se Agroni “Në këtë ekspozitë na vjen më ndryshe. Mirëpo i ruan identitetin, stilin, vijën e përmbajtjen e tij, të cilat i ka krijuar vetë duke u ndikuar nga realiteti”. Sipas Muharremit, nëse analizohen veprat e Mulliqit vërehet një art shumë postmodern (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.