Kulturë

“Java e filmit shqiptar” me veprat kinematografike që i mbijetojnë kohës

Prishtinë, 19 shkurt – Filmi “Skënderbeu”, i vitit 1953 ndezi projektorin e “Javës së filmit shqiptar” të hënën mbrëma në kinemanë ABC.

Nën regji të Sergei Yutkevich, filmi i cili një vit më vonë në edicionin e shtatë të Festivalit të filmit në Cannes u nderua me çmimin ndërkombëtar e regjisori mori mirënjohjen speciale, u restaurua në vitin 2012 për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e i tillë erdhi edhe para publikut në Prishtinë, në 12-vjetorin të Pavarësisë së Kosovës. “Skënderbeu” ka qenë në mesin e tre filmave që “Kosovafilmi” zgjodhi për “Javën e filmit shqiptar”.

Rrugëtimin nëpër kinematografinë shqiptare që e nisi “Skënderbeu” e përfunduan të martën mbrëma “Nëntori i Dytë” i regjisorit Viktor Gjika dhe “Tomka dhe shokët e tij” i Xhanfize Keko. “Nëntori i dytë”, produksioni i viti 1982, trajton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. E “Tomka dhe shokët e tij”, produksioni i viti 1977, ka në fokus Luftën e Dytë Botërore. Tomka dhe miqtë e tij, të cilët ditët i kalonin duke luajtur me top në një fushë afër shtëpive të tyre, organizojnë aksione kundër kampit ushtarak të nazistëve që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës.

Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosovafilmit”, ka thënë se përmes mozaikut që krijojnë tre filmat e përzgjedhur, ofrohet një pasqyrë e situatave të ndryshme dramatike që ka përjetuar populli shqiptar.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)