Kulturë

Thesari nga Adriatiku e Mesdheu plotësohet me imazhe artefaktesh që mbesin në Serbi

Prishtinë, 18 shkurt – Helmeta ilire është prej artefakteve më të rëndësishme si shenjë e paraardhësve të shqiptarëve në Ballkan.

E gjetur në Banjë të Pejës, një pjesë e një helmete është vënë në dispozicion të publikut në ekspozitën “Trashëgimia arkeologjike adriatiko-mediterane në Kosovë”, e hapur në mesditën e së hënës. Është ana e majtë e helmetës së bronztë, që i takon periudhës midis shekujve VI dhe V para erës së re. Kjo pjesë tregon se mjeti që shërbente për luftë kishte rrethin e dekoruar. Një majë heshte hekuri e një mahaira janë prej mjeteve të mprehta luftuese të ilirëve që dikur jetonin në atë që tash është fshati Banjë i Komunës së Istogut, e njihet si vendbanim i ujërave termale. Por ekspozita e përgatitur nga arkeologu i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Tomor Kastrati, nuk paraqet të gjitha artefaktet që ishin synuar. Është “arnuar” edhe me imazhe të tyre. Kësisoj ka ngjarë për shkak se tash e 20 vjet, siç dihet zyrtarisht, mungojnë 1244 artefakte, të cilat ishin marrë më 1998 dhe 1999, për t’u ekspozuar në Beograd, e nuk janë kthyer më, pos “Hyjneshës në fron”.

Byzylykë, mjete pune e elemente dekorative mund të shihen vetëm në imazhe. Ministria e Kulturës për disa vjet me radhë ka ndarë buxhet me destinimin “për kthimin e thesarit arkeologjik nga Beogradi”, por ende nuk është bërë diçka konkrete. Në bisedimet teknike e politike midis Kosovës e Serbisë, kjo temë kishte qenë pjesë e dialogut.

“Më shumë kishte një gatishmëri retorike sesa praktike”, kishte thënë për gazetën në vitin 2016 ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

E Muzeu i Kosovës pikërisht më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, nëpërmjet ekspozitës ka treguar se trashëgimisë kulturore të vendit i mungojnë shumë artefakte. Imazhet e stolive të argjendit që janë kulturë adriatiko-egjeiane, enë të kulturës neolitike e byzylykë të argjendit që datojnë midis shekujve VI dhe V do të duhej të ishin pjesë e ekspozitës si artefakte, e jo vetëm si imazhe.

Arkeologu Tomor Kastrati ka thënë se tema e ekspozitës ka një histori të gjatë të kërkimeve.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

{gallery}