Kulturë

Në galerinë “Monet” u hap ekspozita personale e Eshref Qahilit

Prishtinë, 25 maj - Në shikim të parë imazhi i pikturës së vendosur në ballë të galerisë duket si vazo. Por në realitet, është një anije e mbushur përplot me njerëz që ia kanë mësyrë vendeve të huaja, në kërkim të shpresës. Kanë braktisur vendin për një jetë më të mirë.

“Ajo anije nuk është anije. Është si vazo. Se në realitet të gjithë ata që kanë ikur, me gjithë sakrificat, e kanë bërë një rrugëtim në vazon e lules, dhe se të gjithë kanë përfituar nga ajo ikje, pavarësisht vuajtjeve, sakrificave”, ka shpjeguar autori i veprës, piktori Eshref Qahili. Piktura e realizuar në teknikë vaji, qëndron e varur në murin e hapësirës unike ekspozuese të kryeqytetit. Bashkë me mbi 30 vepra të tjera, përbën mozaikun e ekspozitës personale të Qahilit. Ai ka zgjedhur “Monet”, të rikthehet para audiencës kosovare me ekspozitë personale, pas disa paraqitjeve kolektive.

Piktura të një cikli që rikrijojnë imazhe të vitrinave - disa prej të cilave i kishte ekspozuar në Paris më 2014 - e të tjera që shpërfaqin imazhe abstrakte nga kujtimet e luftës, po ashtu janë pjesë e ekspozitës që nuk e ka një titull. Por e ka një gjuhë të përbashkët: atë të ngjyrës karakterizuese që dallohet lehtë në pikturat e Qahilit. Ai nuk i ka vënë titull ekspozitës, por thotë se ambienti i hapur rishtas në kryeqytet i shkon shumë mirë për shtat.

“Monet” hapi dyert në muajin prill si një galeri, librari e kafene (gjerësisht, sot në “Kohën Duitore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni

{gallery}