Kulturë

Kompozitori Boshnjaku kërkon që incizimet e Nexhmie Pagarushës të jenë pronë shtetërore

Kompozitori Florent Boshnjaku, në një postim në rrjetin social “Facebook”, e ka konsideruar Nexhmie Pagarushën ikonë dhe ka kërkuar që incizimet e saj të jenë pronë e shtetit të Kosovës.

“Ai material është në adresa tjera: Beograd si dhe në Zagreb ( sikurse është një numër i konsiderueshëm i incizimeve të vjetra të artistëve Kosovar përfshirë Qamilin e Vogël etj.) Në ish-Jugosllavi ku edhe ne kemi qenë pjesë e sistemit incizimet janë publikuar në shumicën e rasteve nga PGP RTB (record label e asaj kohe si pronë e shtetit Jugosllav me seli në Beograd ) e cila e mban të drejtën si kompani producent -pronare e këtyre incizimeve, ka shkruar Boshnjaku. Sipas tij, përkundër bisedave me zyrtarë institucionalë nuk është marrë me shumë seriozitet kërkesa që këto materiale të diskutohen në takime me Serbinë si trashëgimi e jona kulturore dhe shpirtërore .

“Materiali i incizuar në ato dekada duhet ta ketë vendin aty prej nga ka ardhur dhe është krijuar pra në Kosovë. Kosova duhet të jetë pronare e materialeve të incizuara në kohë kurë është jetuar dhe vepruar në një bashkësi me republikat tjera në Jugosllavi, pra këtu hyjnë edhe këngët e znj. Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Boshnjaku. Më tej, ai ka kërkuar trajtim dinjitoz të artistëve të kalibrit të Nexhmie Pagarushës.

“Znj.Nexhmie në vitet e fundit nuk e shijoj të drejtën e autorit ku ajo pagesë ishte deshtë me ja kriju një bazë për një pleqëri dhe pension të dinjitetshëm pa pasur nevojë me kriju ligje dhe ide tjera që artisti i kalibrit të saj të ketë një pleqëri si duhet”, ka shkruar Boshnjaku.

Në fund të postimit të tij, kompozitori Boshnjaku ka kërkuar digjitalizimin e materialit të arkivit të ish- RTP-së.

“Ligji i cili e rregullon raportin e RTK-së si RTV publik në raport me materialet e RTP-së të cilat pas digjitalizimit duhet të jenë pronë e RTV publik ose të jenë pronë e shtetit të cilat arkivohen në ministri përkatëse si trashëgimi kulturore ose trashëgimi shpirtërore”, përfundon postimin e tij Boshnjaku.