Kulturë

Ikona letrare shqiptare Kadare riviziton “vendlindjen”

Ismail Kadare është ai soj i artistit lapidar që gdhend kuptime e zbukurime në të fshehtat e gurta të Shqipërisë së tij. I lindur, sikur shemri i tij, diktatori komunist Enver Hoxha, mes shtëpive fytyrëboshe dhe familjeve të hasmëruara të “qytetit të gurtë” të Gjirokastrës, shkrimtari gjithnjë ka fytyrëzuar terrorin, fshehtësinë dhe konfuzionin e regjimit si një çështje familjare. Krahasimet e rëndomta me Kafkën dhe Orwellin ia zbehin afërsinë marrafrymëse të politikës dhe pushtetit në veprat e tij. I çakërdis edhe ata që duan ta cilësojnë Kadarenë si disident të guximshëm apo ata që e shohin si hyzmeqar paudhësish. Larg qoftë ideologjia: kjo është, siç ka qenë gjithmonë, rreptësisht personale. “The Doll” (“Kukulla”) vramendet nëse “tirania është gjë e vërtetë apo diçka që dikush e projekton vetë. E njëjta shkon edhe për skllavërimin”.

Duke portretizuar kaq shpesh trupin politik të Shqipërisë si një shtëpi e shalakatur, Kadare (tani 84 vjeç) e kthen rrjedhën e metaforës. “Kukulla” është një rrëfim autobiografik, në zemër të të cilit është nëna e tij e dashur, e hajthme dhe e padepërtueshme. Afshërore dhe elegante, nën një maskë buzëkuqi posi një kabuki, ajo sjell veçse pak prokopi e thuajse hiç prestigj nga familja e saj Dobi kur, më 1933, martohet me të mëdhenjtë për petkëgrisurit Kadarenjë. Shekuj krenarie e mërie kanë rrjedhur nëpër gurët e moçëm të shtëpisë së tyre gjirokastrite, me dhomat e fshehta dhe “qelinë e famshme”. Ashtu si, me Kadarenë, një komb bëhet një familje (e dëmtuar), edhe një dinasti e përshkuar nga fshehtësia mund të bëhet shtet: “Shteti kishte ligje, e po kështu edhe shtëpia. Me pak fjalë, secili kujdesej për vete”. Lakonik, dyshimtar dhe padukshëm dëfryes, Kadare përfytyron “diplomacinë e mbuluar” mes dy shtëpive. Ai dramatizon izolimin e “Kukullës” sapo hyn në kështjellën rivale dhe “gjyqet” bizare (i ati i tij, një zyrtar gjykate, vjen prej një familjeje legalistësh) që e shtrëngojnë të renë kundër vjehrrës. Kur “Smajli” i vogël nis të selitë dhuntitë e veta letrare, familja që e bën për vete është ajo e Makbethëve (një gur i kahershëm prove te Kadareja). Popujt e Hamletit dhe Edipit nuk ishin prej larg. Vetë Gjirokastra i vihet pas atij “si një fantazmë e një mbreti të vrarë”. Familja lëviz në Tiranë, dhe e ëma e tij – një prani e zbehtë dhe e hollë, por e pathyeshme – shijon “thirrjen e shikut” në kryeqytet. Por shtëpia e braktisur ende i fikson ata. Madje e vajtojnë humbjen (në një hon) të “takëmit të madh të bakllavasë”, zhdukja e të cilit përmendet “butë dhe qetë, a thua se bëhej fjalë për një zonjë në moshë që ka vdekur në rrethana jo fort të qarta”.

Po të iku kjo zgjuarsi fataliste dhe e çehrengrysur, e shërbyer aq bukur në përkthimin mjeshtëror të John Hodgsonit, atëherë ke humbur diçka thelbësore prej Kadaresë. I hijeson përvojat e tij si një student shkrimtar në Moskë (para se Hoxha të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik). Veglat e Partisë denoncojnë “treshen Joyce-Kafka-Proust”, ndërkaq i dhuntishmi shqiptar ndihet sikur “një ushtar para skuadrës së pushkatimit”, të rekrutuar për të vrarë letërsinë. Në Tiranë ai përsiat mbi “epikën groteske e përqeshëse të adoleshencës sime”. Në njëfarë mënyre dobësia e dukshme e së ëmës ia ka mundësuar atij fuqinë: “Gjithçka që e ka dëmtuar ‘Kukullën’ në jetë u bë e dobishme për mua në artin tim”. Varësia e zërit të tij të ashpër, të ndrojtur e të zhdërvjellët në vetminë e brishtësinë e saj i vë një qemer të fortë këtij libri. Në fund, gjatë rikthimit të tyre në shtëpinë e bërë meremet, ai dhe e shoqja e tij, Helena, zbulojnë një “dalje të fshehtë” në shtëpi. Pak, por jo dobët, “Kukulla” hap disa dyer të fshehura një kohë të gjatë. Megjithatë, jo të gjitha: “Lëmshi i një kohe më parë” mbetet.

spectator.co.uk, përktheu: Salih Mehmeti