Kulturë

Duartrokitjet në Shqipëri

Pranverë 1973.

Një paradoks: nuk mund të kuptohej kush kë e çmonte më shumë, këngëtarët e Kosovës kolegët dhe koleget e tyre në Shqipëri, apo e kundërta.

Vajtja e ansamblit “Shota”, me këngë dhe valle të “kombeve dhe kombësive” në Shqipëri, dhe paraqitja e këtij ansambli me koncerte në shumicën e qyteteve, ishte një, si i thoshin atje, surprizë, që në përkthim në gjuhën e thjeshtë tonën do të thotë – befasi. Ajo befasi, mbase, ishte e dyanshme: opinioni shqiptar bënte “hyxhym” drejt sallave të koncerteve ku do të paraqiteshin këngëtarët nga Kosova, bile në raste ai “hyxhym” nxiste edhe sjellje më të vrazhdë të policisë, sikur në Korçë, për shembull.

Ishte përmallja, apo vërtet pëlqeheshin këngët e interpretuara nga mysafirët e ardhur nga Kosova, nuk mund të kuptohej, por entuziazmi i publikut ishte tej mase, sidomos kur në skenë ishte Nexhmije Pagarusha. Edhe pa atë entuziazëm të tyre, Nexhmija ishte e pushtuar nga një ndjenjë malli për atë tokë shqiptare, për njerëzit e atjeshëm, për qytetet... prandaj, falë asaj ndjenje, Nexhmija krijonte afërsinë duke iu hedhur aderuesve në përqafim, herë-herë edhe duke qarë... por gjithnjë me këngën në prani të tyre, qoftë edhe jashtë skene, domethënë në ambient hoteli ku shtroheshin darkat, drekat... si në Berat, për shembull: në orët e mbrëmjes të asaj dite pranvere, që Berati e ka sharmin e veçantë, ndodhemi në hotel “Turizmi”, shkruan sot Koha Ditore.

Është mbrëmje për relaksim shpirtëror, për “muhabet” me Nexhmije Pagarushën në ballë. Ajo i dha vetes të drejtë të furnizohet me emocione edhe duke i ngre disa gota, për të qenë në elementin e saj, jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Këndim dhe aktrim, njëherësh: këndim i këngës “Hava Nagila”, që për mesin shqiptar ishte diçka e rrallë, për çka ata ndiheshin jashtëzakonisht të lumtur që iu kishte rastisur të gjendeshin në atë ambient ku Nexhmija ia thoshte asaj kënge me një përjetim të rrallë.

Shtytje ishte edhe mjeshtëria e Ferdinand Dedës, duke e përcjellë me harmonikën e tij, duke i dhënë shkas këngëtares të shprehej në mënyrën më të përshtatshme ...Ishte kënaqësi e dyanshme, për opinionin shqiptar që e shihnin drejtpërdrejt Nexhmije Pagarushën për të cilën kishin dëgjuar aq shumë, por edhe për ne, si mysafirë, tek përballeshim me prezantimin mjeshtëror të Ferdinand Dedës për të cilin mësuam, me atë rast, se kishte studiuar në konservatorin e muzikës në Pragë (në vitin 1961) dhe se ishte i detyruar të ndërpriste atje, për të vazhduar në Tiranë dhe se, që kur kishte qenë student, kishte udhëhequr orkestrën e RTSH-së dhe, nga ajo kohë e tutje, kishte udhëhequr sa e sa koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Turqi, Greqi... Atë mjeshtër muzike e kishim para vete, derisa i ndihmonte Nexhmijes ta bënte mbrëmjen aq të këndshme.