Kulturë

Në skenë për herë të fundit

Descriptive Text

Do të befasonte të gjithë të pranishmit në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kishte kohë që s’këndonte. Ishte 28 Nëntori i vitit 2016, kur Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” po mbante një koncert me krijimet e kompozitorit Fahri Beqiri, shkruan sot Koha Ditore.

Në skenë u ngjit edhe e madhja Nexhmije Pagarusha. Një muaj më vonë, në skenë u ngjit edhe në ceremoninë e shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Këndoi shkurt, pa orkestër, në dokumentarin për të. “A këndova mirë?”, pyeti në fund

Kishte qenë një paraqitje e papritur për të gjithë. Ishin bërë thuajse 16 vjet qysh prej të fundit paraqitjeje të saj para kamerave televizive. Asokohe, publikut në Tiranë ajo i kishte dhuruar një interpretim me Ardit Gjebrenë. Ishte viti 2000.

S’u pa në skenë deri më 2016. Zëri i saj këngëzues do të mrekullonte të gjithë të pranishmit në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ishte 28 Nëntori i atij viti kur Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” po mbante një koncert me krijimet e kompozitorit Fahri Beqiri.

Me një fustan të zi që ia shtonte hijerëndësinë e saj prej zonje 83-vjeçe, ajo qëndroi e ulur në një kolltuk derisa solistët e “Shotës” interpretonin shkëputje nga repertori i kompozitorit të njohur. Në kohën kur radha i erdhi këngëtares Violetë Kukaj, Pagarusha do të habiste të gjithë: ajo do ta shoqëronte atë në disa prej vargjeve të këngës “Sonte ngushëllim kërkova”.

Me këngën që flet për ngushëllimin që e ofron një gotë raki, artistja e lartësive do t’i përkujtonte audiencës për fuqinë e vokaleve të saj. “Vetë paraqitja e Nexhmisë në duet dhe gjithçka nga ajo mbrëmje ishte e veçantë”, ka përkujtuar këngëtarja Kukaj të premten disa orë pasi u bë i ditur lajmi për vdekjen e asaj që u konsiderua si bilbili i këngës shqipe.

Ende i ka të gjalla momentet kur për dy orë rresht kishte bërë prova para koncertit bashkë me divën. Në një prononcim për “Kohën Ditore”, Kukaj e ka cilësuar veten me fat që kishte qenë e përzgjedhura e Nexhmijes për të interpretuar bashkë.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)