Kulturë

Ekspozita “World Press Photo” në Tiranë në syrin e 43 fotografëve të huaj

Tiranë, 7 shkurt - Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar mes të pranishmëve të shumtë dhe personaliteteve të ndryshëm u çel ekspozita ‘’World Press Photo’’, me foto nga 43 fotografë nga 25 vende të botës.

World Press Photo Foundation ka një traditë të konsoliduar disa vjeçare në këtë format duke filluar nga viti 1955 me 3 dhjetor ne Hollandë duke u bërë promotor dhe duke lidhur botën me ngjarjet më të rëndësishme përmes imazhit fotografik.

Fjalën hapëse të këtij aktiviteti e mbajti ambasadorja e Hollandës në vendin tonë, Guusje Korthals Altes, ku theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite në përçimin e vlerave demokratike, të fjalës së lirë, në rritjen e imazhit të gazetarit si në aspektin profesional por dhe në rolin që ai mbart në shoqëri.

Të nominuarit e World Press Photo Contest 2019 janë 43 fotografe nga 25 vende: Australia, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Republika Çeke, Egjipti, Franca, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Meksika, Hollanda, Norvegjia, Filipinet, Portugalia, Rusia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Siria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela.

Nga këta të nominuar 14 fotografë janë gra, 32 për qind që do të thotë një rritje e konsiderueshme nga viti 2018 ku ishin vetëm 12 për qind.

Që nga themelimi i tij, World Press Photo Foundation ka synuar të stimulojë zhvillimet e fotoreportazhit, të inkurajojë transferimin e njohurive, të ndihmojë në zhvillimin e standardeve të gazetarisë vizive dhe të promovojë një shkëmbim të lirë dhe të pakufizuar të informacionit. Ekspozita e çelur do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2020/ATSH.