Kulturë

“Hamilton” së shpejti në ekran të madh

Descriptive Text

Krijuesi i shfaqjes së famshme dhe tejet të suksesshme “Hamilton”, Lin-Manuel Miranda, e ka konfirmuar lajmin se versioni filmik i këtij projekti do të lansohet në tetor të vitit 2021.

Aktori dhe kompozitori 40-vjeçar e ka shfrytëzuar rrjetin social Twitter për ta zbuluar lajmin se, filmi i ri i bazuar në mjuzikllin e tij të famshëm të Broadway-it do të shfaqet në ekran të madh vitin e ardhshëm, dhe në këtë projekt do të përfshihet kasta origjinale e shfaqjes.

Miranda, i cili në shfaqjen muzikore e portretizon kryepersonazhin, Alexander Hamilton, në mesazhin e tij ka shkruar: “Disney ua prezanton: Hamiltonin. Me kastën origjinale të shfaqjes së Broadway-it. I xhiruar në skenën e teatrit “The Richard Rodgers” në New York. Së shpejti në të gjitha kinematë. Nga 15 tetori i vitit 2021”.

Disa burime kanë treguar për portalin “Deadline”, që studioja filmike “Disney” i ka paguar 75 milionë dollar për të drejtat autoriale të kësaj shfaqjeje.

Ndërkaq, komentet e fundit të Mirandas vijnë pak kohë pasi ai e kishte paralajmëruar publikun, se një version i “Hamiltonit” për ekran të madh do të vijë më shpejt se që ishte menduar.