Kulturë

“Exil” – rrëfimi kafkian për emigrantin kosovar në Gjermani

Qysh mund të ndiheni si në shtëpi, në një vend që ju konsideron vetëm si të huaj? Identiteti është temë qendrore në “Exil”, një rrëfim kafkian që zhvillohet dalëngadalë, me skenar dhe regji të Visar Morinës, në të cilin paranoja e një burri i reflekton hallet më të thella shoqërore.

Kombinimi i intrigueses me shqetësuesen bën që filmi t’ju depërtojë thellë nën lëkurë, transmeton Koha Ditore.

E godet në tel Gjermaninë, por edhe vendet e tjera që përfyten me telashet e integrimit dhe pranimit të komuniteteve të tyre emigrante. Fjala e urtë e Joseph Hellerit, që thotë se vetëm pse jeni paranojakë nuk do të thotë se ata nuk u janë vënë pas, e përmbush gjithë filmin.

Xhaferi (Mishel Mariçeviq) është një inxhinier i farmaceutikës nga Kosova që tani jeton në Gjermani me bashkëshorten e tij gjermane, Nora (Sandra Hüller e “Toni Erdmannit”) dhe tre fëmijët e tyre. Ai ka një shtëpi dhe vend të mirë pune. Teksa kthehej një ditë në shtëpi, e gjen një mi të ngordhur ngujuar në portën e kopshtit të tij.

Ky incident është si rasti kur një cifël e vogël në xhamin mbrojtës të veturës në fund e shkatërron atë krejtësisht. Xhaferi i tensionuar fillon ta marrë personalisht akëcilën imtësi, prej kolegut jobashkëpunues deri te shakatë e padëmshme që gjithmonë i duket se e përjashtojnë atë. Mishel Matiçeviqi e portretizon Xhaferin me një qetësi të ngurtë që sugjeron se burri mezi e frenon zemërimin e tij. Mund të ndihet fare lehtë ndjesia e tij mbytëse e padrejtësisë teksa takimet ndryshohen pa informimin e tij dhe kolegët padronizues kurrë në fakt nuk e mbajnë mend vendin e tij specifik të origjinës. Ata e dinë se ai nuk është prej aty.

Ndihet jehona e mjegullt e “Hiddenit” të Michael Hanekes në shqetësimin përherë më të madh të Xhaferit për faktin që bëhet cak i dikujt që duket se di shumëçka për të. Fobia e tij prej minjve shfrytëzohet vazhdimisht prej torturuesit të tij. Rainer Bock merr formën e rrëmbyesit të krejt vëmendjes në rolin e Ursit, kolegut nopran e armiqësor, të cilin Xhaferi e vë në cakun e hakmarrjes.

Makthi kafkian shpaloset përmes pamjeve të një vendi pune rrethuar me një labirint korridoresh të pafundme dhe dyersh anonime. Duke bredhur këmbëngulësisht prej njërës zyrë në tjetrën, Xhaferi mund të jetë njëri prej minjve laboratorikë të zënë në kurthin e eksperimentit. Godina është gjithashtu përjetësisht e nxehtë. Ventilatorët freskues rrotullohen në prapaskenë ndërsa Xhaferi dhe kolegët e tij djersijnë përtej këmishëve të tyre. Gjithçka duket se konspiron kundër tij, duke e lënë të mbërthyer në ndjenjën sikur askush nuk e kupton vërtet se nëpër çka po kalon.

Zhgënjimi i vjehrrës së tij me të është i dhembshëm. Bashkëshortja e tij nuk është gjithmonë zemërdhembshur, gjë kjo që sugjeron se ai mendon që mospëlqimi ndaj tij në punë mund të jetë gjë personale e jo raciste.

Duke iu përgjigjur aftësisë së tij që t’i bëjë të gjitha për veten, ajo tallet me kotësinë e tij, duke i sugjeruar: “Po të ishe grua, do t’i rrisje gjinjtë”.

Ani pse Xhaferi është viktimë në shumicën e atyre që ndodhin, Morina duket i vendosur që mos ta pasqyrojë atë si shenjtor. Disa prej veprimeve të tija e zbulojnë anën e tij aspak të admirueshme në mënyrën e trajtimit të të tjerëve.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)