Kulturë

Zbulimet në Irak ndihmojnë në ndriçimin e thesareve të Muzeut Britanik

Për dekada ata kanë mbledhur pluhur në koleksionet e Muzeut Britanik (British Museum), të vlerësuara për rëndësinë e tyre individuale, por në shumë raste të shkëputura nga konteksti i tyre falë rrethanave të zbulimit dhe rikthimit të tyre përgjatë periudhës kuturisëse të arkeologjisë së hershme.

Tani dhjetëra artefakte të rëndësishme që janë larguar nga Iraku në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të atij 20-t janë sjellë sërish në fokus nga një ekspozitë që mbështetet mbi zbulimet e mahnitshme të bëra nga arkeologët irakianë mes trazirave të historisë së fundme të vendit.

Mes sendeve të shfaqura është edhe një statujë e vogël dolerite që daton rreth vitit 2130 para Krishtit, e blerë nga muzeu në vitet ‘30. Ajo paraqet një mbret të quajtur Gudea, që ka sunduar qytetin e moçëm të Girsusë, një nga qytetërimet e para urbane në botë, në vendin e sotëm Tello në Irakun Jugor.

Statuja e paraqet atë në pozitë lutjeje, siç bëjnë edhe shumë të tjera për të, sipas Sebastien Reyit, kurator i Mesopotamisë së lashtë në muze. Por derisa ekspertët dinin nga burimet e shkruara që Gudea ndërtoi një tempull në qytetin e tij, asnjë mbijetojë e tij nuk është gjetur. Kjo ndryshoi falë zbulimit të bërë nëpërmjet skemës emergjente të trashëgimisë në Irak, e krijuar nga British Museum më 2015, për të trajnuar arkeologët lokalë në mbrojtjen e trashëgimisë në një kohë kur shumë prej vendeve historike po kërcënoheshin të shkatërroheshin nga islamikët. Duke rivizituar vendin pas dekadash, Rey dhe një ekip arkeologësh të trajnuar vendorë kanë zbuluar jo vetëm vendin e tempullit 4-mijëvjeçar të mbretit, por edhe një furrë të bashkëngjitur me tempullin, ku sasi të mëdha buke duhet të jenë pjekur si blatime për zotat.

Besohet të jetë shembulli i parë në histori i këtij lloj organizimi, duke e vlerësuar atë si zbulim “absolutisht 10/10 dhe përtej”, ka thënë Rey.

Qëllimi i artefakteve të tjera të muzeut që kanë mëdyshur për dekada ekspertët, është bërë i qartë si rrjedhojë e gërmimeve të skemës së trashëgimisë. Fjala vjen, një koleksion i koneve të gdhendura: artefakte të ngjashme janë gjetur brenda mureve të tempullit si depozita talismanike.

Ligji irakian e ndalon që gjetjet arkeologjike të largohen nga vendi, kështu që zbulimet e reja do të pasqyrohen në fotografi, rindërtime dhe video krahas koleksionit të vetë muzeut.

Ekspozita e quajtur “Ancient Iraq: New Discoveries” do të vizitojë North Museum në New Castle dhe Muzeun e Universitetit të Nottingham mes muajve mars dhe dhjetor/ The Guardian.