Kulturë

Lejimi i shumëkatëshes te monumentet në Gjakovë me raport pa nënshkrime

Prishtinë, 29 janar – Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka hapur rrugë ndërtimit të objektit shtatëkatësh afër monumenteve në Gjakovë duke u bazuar në një rekomandim pas të cilit nuk qëndrojnë shumica e atyre që janë përmendur si anëtarë të Komisionit.

Nga gjashtë anëtarët raporti ka vetëm një nënshkrim dhe ai del të jetë krejt i ngjashëm me atë të drejtorit të IKMM-së. Por, jo vetëm kaq.

Gjysma e anëtarëve ka bërë shkresë zyrtare për këtë rast duke u distancuar nga raporti me të cilin Instituti ka hequr dorë nga mbrojtja e hapësirës përreth monumenteve duke mundësuar ndërtimin e shumëkatëshes afër tyre. Nja 30 metra afër Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë dhe rreth 10 afër Mejtepit Ryzhdije – të dyja këto asete të trashëgimisë kulturore – ka nisur të ndërtohet një objekt i ri. Gazeta ka raportuar se fillimisht në muajin prill të vitit 2019 IKMM-ja kishte refuzuar kërkesën për t’i dhënë pëlqim kompanisë ndërtuese që të ngrejë objektin. Refuzimi ishte bërë me arsyetimin se ndërtesa potenciale gjendej brenda zonës së mbrojtur të Kullës, Mejtepit e monumentit tjetër, që është Shkolla e Muzikës.

Por vendimi i drejtorit të IKMM-së, Ismet Hajrullahu, i datës 7 korrik 2019, ka bërë që IKMM-ja të heqë dorë nga mbrojtja e parcelës ku ka nisur ndërtesa. Më 7 tetor kompania “Ylli Pashtriku” sërish i kishte kërkuar IKMM-së pëlqim për të lejuar ndërtimin. E dy ditë më vonë drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, nëpërmjet një shkrese i kishte thënë kompanisë së nuk ka nevojë të kërkojë pëlqim.

“Në këtë rast konfirmojmë se për parcelat kadastrale që gjenden jashtë zonës të mbrojtur, të definuara, të aseteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore, nuk kërkohet pëlqim nga IKMM-ja dhe si rrjedhojë IKMM-ja nuk lëshon pëlqim”, shkruhet në këtë shkresë që posedon gazeta, sikurse krejt lëndën për këtë rast.

Por IKMM-ja deri në këtë nivel sa për t’i hapur rrugë ndërtimit të objektit të ri kishte ardhur nëpërmjet një procesi që, sipas shkresave zyrtare të personave që kanë qenë të përfshirë, del të jetë i manipuluar.

Drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, kishte marrë vendim për përcaktimin e perimetrit të mbrojtur të tri monumenteve duke u bazuar në rekomandimin e datës 7 gusht 2019 me numër protokolli 348. Sipas këtij rekomandimi, që po ashtu e posedon gazeta, anëtarë të komisionit ishin: Avni Manaj nga IKMM-ja, Drita Lushtaku po nga ky institucion, Alban Kastrati po ashtu nga IKMM-ja, Osman Gojani, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, dhe dy zyrtarët komunalë, Elida Bejtullahu e Arbër Jusufi. Raporti që është bërë shkas për ndërtim të ri krahas monumenteve nuk është nënshkruar nga pesë anëtarë të komisionit. Aty shihet vetëm një nënshkrim krahas gjashtë emrave, që është fort i ngjashëm me atë të drejtorit të IKMM-së.

Në ditën që gazeta ka raportuar se objekti shumëkatësh ka nisur të ndërtohej në afërsi të monumenteve në Gjakovë, partia Alternativa ka njoftuar se këtij rasti do t’i përgjigjet me kallëzim penal.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)