Kulturë

Animatorja e hulumtimit nëpër memorien kolektive

“Kush mytet kapet për shkume” është animacioni i realizuar nga Urtina Hoxha e që depërton te guximi e sakrifica në kohë lufte, shkruan sot Koha Ditore.

Për katër minuta e gjysmë, Hoxha shfaq copëza nga përjetimet e një gruaje gjatë luftës. Vë në fokus rëndësinë e memories kolektive, shpërfaq pamje të kryeqytetit që nuk janë më. E kapërthen atë nëpërmjet historisë së Ola Sylës (65-vjeçare) në animacionin që pati premierën më 18 dhjetor në “Dit’ e Nat’”.

Është i dyti më radhë që ajo ka realizuar, ani pse animacionin e saj të parë “Retë” nuk e sheh shumë si diçka që duhet numëruar. Thotë se është i papërpunuar mirë dhe nuk është shfaqur diku. Mirëpo i kishte marrë goxha punë për ta bërë e ishte fillimi i rrugës si animatore.

E kishte nisur në vitin 2016. Atë vit Hoxha ishte pjesë e jurisë së studentëve në festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, që mbahet në Pejë, dhe eksperienca që mori në festival ishte kontakti i parë i drejtpërdrejtë me animacionin. Shtytje për të vazhduar më tej. Më herët Hoxha realizonte ilustrime.

E diplomuar për dizajn grafik në Universitetin e Prishtinës, që në fëmijëri ishte marrë me vizatim. Babai i saj, i cili shkruante poezi dhe që pikturonte herë pas here, i kishte shërbyer si model që të kapte fletët e bardha e të pikturonte, ani pse atëherë nuk e shihte si profesion. Në fëmijëri e adoleshencë Urtina Hoxha nga Suhareka ishte fokusuar që të tregohej e zonja në mësime. E një hap akademik më të madh – të marrë titull master – po synon ta arrijë pikërisht me animacionin “Kush mytet kapet për shkume”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)