Kulturë

Akuza se logoja e 100 vjetorit të Tiranës është plagjiat, Ismaili e mohon

Descriptive Text

Dje është përzgjedhur logoja e 100 vjetorit të Tiranës, fitues i së cilës është shpallur kompania kosovare “Karrota”.

Por, gjatë ditës së sotme në rrjetet sociale ka pasur reagime rreth kësaj logoje për ngjashmërinë me logon “Truman” të krijuar nga Rosie Manning më 2016.

Image

Megjithatë, krijuesi i kësaj logoje, Fisnik Ismaili ka mohuar se është plagjiat, duke thënë se ka shumë logo të tilla të ngjashme.

“A e pe një koment prej disenjatorëve që janë ekspertë në këtë punë, apo e pe një koment prej një ‘zhgleje’ që nuk di me e dalluar trendin prej kopjes. As nuk diskutohet (se a është plagjiaturë). Që janë do shkronja e do ngjyra të ngjashme nuk diskutohet. Edhe Google e ka ashtu, shikoni produktet e Google i ka këto shkronja të ngjashme dhe të ngjyrave, mos boni hajgare. Shikoni në Google Images e të dalin edhe 50 mijë logo të ngjashme”, është shprehur Ismaili.

Image

Disenjatori Rrezeart Galica, ndërkaq, e ka quajtur skandaloze përzgjedhjen e kësaj logoje, derisa thotë se ka pasur logo të tjera me vlera të mëdha.

“Unë nuk po e akuzoj askënd, por po e konsideroj përzgjedhjen e kësaj logoje kopje të idesë/konceptit të logos së krijuar nga dizajnerja Rosie Manning, më 13 qershor të vitit 2016. Të festosh 100 vjetorin e themelimit të kryeqytetit shqiptar me këtë logo është vërtet skandaloze, ndërkaq në konkurrencë kanë qenë dhe logo të tjera të cilat kanë pasur vlera të konsiderueshme për t'u përzgjedhur në vend të kësaj aktuale”, ka thënë Galica për Koha.net.

Tutje ai ka shtuar se, “konsideroj se prapë përmes lidhjeve të pista të politikës dhe partive, e individëve në këto parti në Kosovë e Shqipëri, si dhe lidhjeve të tjera studio që ka fituar është plotësisht vlerë e dëshmuar se pa një komision vlerësues jashtë këtyre lidhjeve nuk mund të kemi një logo që e përfaqëson këtë përvjetor të rëndësishëm për shqiptarët”.

Kujtojmë se kjo logo, që gërsheton ngjyrën portokall, rozë, atë të gjelbër dhe të kaltrën me fjalën “Tirana”, është përzgjedhur me votat e publikut.

Logoja për 100-vjetorin e Tiranës me më shumë energji, gjelbërim e modernizëm

Sipas rezultateve të votimit që janë afishuar në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, versioni fitues i “Karrotës” ka marrë 16007 vota. I dyti propozim, me 15623 vota, ka qenë ai i artistit Florian Sallo, i pasuar nga ai i Blerim Tuzit, që është votuar nga 5609 njerëz, si dhe i katërti nga “Kuadr.” me 1196 vota.