Kulturë

Zvarritja e restaurimit të Muzeut Etnologjik

Kjo është gjendja e monumentit që e përditshmja britanike “The Guardian” e ka renditur ndër 12 muzetë më të mirë në Evropë.

Ndërsa, pjesa kryesore e kompleksit “Emin Xhiku”, për më shumë se dy vjet, vazhdon të mbetet e paqasshme për vizitorë. Restaurimi i këtij objekti është zvarritur qysh nga vjeshta e vitit 2017, transmeton KTV.

Sipas planifikimeve aktuale, nëse gjërat nuk ndryshojnë pas miratimit të buxhetit nga Qeveria në ardhje, puna në këtë muze, do të nisë në pranverë me përmirësimin e kushteve meteorologjike. Për këtë projekt, sivjet janë paraparë 130 mijë euro.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, thotë se projekti për restaurimin e objektit, ishte finalizuar vitin e kaluar, por është zvarritur për shkak të buxhetit.

Sipas Aliut, projekti për restaurimin e monumentit, parasheh edhe riorganizimin e ekspozitës së përhershme të titulluar “Cikli i jetës”.

Nga ana tjetër, Ilir Sopjani, kustos në Muzeun Etnologjik të Prishtinës, thotë se ndërtesa jofunksionale është kryesorja dhe se është urgjent të finalizohet restaurimi i saj.

Sipas Sopjanit, zvarritja e restaurimit ka ndikuar edhe në uljen e numrit të vizitorëve.

Përveç ndërtesës së rrethuar me skele, jofunksionale është edhe ndërtesa e ahurit e kompleksit “Emin Xhiku”.