Kulturë

Eqrem Çabej për rolin emancipues të letërsisë arbëreshe në botën shqiptare

40 vjet më parë u nda nga jeta Eqrem Çabej (1908 -1980), një nga studiuesit shqiptarë më të shquar të të gjitha kohëve.

Ai ka vënë gurë themeli me kontributet e tij të mëdha në fushë të gjuhësisë e më gjerë. Janë të njohura vepra të tilla monumentale si: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” me 7 vëllime, botimi kritik i transkriptuar dhe transliteruar me 2 vëllime “Meshari” i Gjon Buzukut, “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes” etj.

Këto dhe një varg studimesh të tjera gjuhësore, kanë çelur horizont për të përcaktuar lashtësinë e gjuhës shqipe dhe lidhjet e kontaktet e saj, në kontekstin e gjuhëve indeoevropiane. Krahas tyre, ai ka botuar edhe disa studime letrare si: “Për gjenezën e literaturës shqipe”, “Shqiptarët ndërmjet Lindjes e Perëndimit” etj.

E pashkëputur nga interesimi i tij për letërsinë shqipe, ka qënë edhe letërsia arbëreshe, të cilën, e ka hulumtuar dhe interpretuar/klasifikuar si një pjesë natyrale dhe njëkohësisht pasuruese të sistemit letrar shqiptar.

Interesimi i Eqrem Çabejt për letërsinë arbëreshe, ka qënë një nga shfaqjet e obsesionit të tij të madh filologjik e shkencor në përgjithësi, për të zbritur dhe hulumtuar drejt rrënjëve të etnosit kulturor shqiptar.

Në këto ngulime historike, ai shihte mundësinë për të hetuar e depërtuar nëpër dukuri, deri diku të ngurtësuara, të konservuara në rrjedhë të shekujve, të cilat lejojnë që prej këtej të rindërtohen nivelet më të hershme të trungut, d.m.th.. të vatrës amtare, në rrafshin gjuhësor e historiko – kulturor.

Ndërkaq, këto ngulime historike, japin mundësinë që të shfaqin edhe një mori shtresash kulturore – nën ndikimin e realitetit vendas, gjegjësisht atij italian, e në përgjithësi kulturës latine.

Kështu, kjo njësi kulturore arbëreshe, fitoi statusin e një rilindjeje impresionuese, brenda hirit të vet e brenda kulturës së madhe italiane. Si e tillë, ajo mbërriti autoritetin, që, krahas mbartjes së gjithçkaje prej origjinës, të merrte mbi vete edhe misionin dhënës drejt saj, d.m.th. të shfaqej me atributet mirëfilli të ndikimit – për atje nga ku lindi e u shkëput, në rrethana tragjike të njohura. Jo rastësisht, një nga esetë mjaft sintetike e të përkora të Çabejt, titullohet “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës” (1964), publikuar me rastin e 150-vjetorit të lindjes së poetit nga Maqi.

Pikërisht në këtë dimension të dyfishtë e shqyrton Çabej fenomenin e kulturës arbëreshe, e posaçërisht rrjedhën e saj letrare. Kjo letërsi, dëshmoi që të përcjellë e qarkullojë drejt letërsisë shqipe, modele të praktikave krijuese perëndimore, në mënyrë të natyrshme dhe me funksion emancipues për të.

Pra, letërsia arbëreshe, në shumë aspekte, rezultoi të ishte: bijë e letërsisë mbarëshqipe, por njëherazi, të ishte edhe limfë ushqyese e ripërtëritëse për të.

Kontaktet e drejtpërdrejta të Çabejt me letërsinë arbëreshe, nisin qysh në verën e vitit 1932, atëherë kur ai filloi të mblidhte material për tezën e tij të doktoraturës në Horën e Arbëreshëve (Siçili), tezë kjo, që siç pohon dr. Hermann Őlberg, e mbron shkëlqyeshëm në Vjenë më 1933, përpara komisionit të përbërë nga albanologë të shquar si: P. Kretschmer, N. Jokl dhe K. Patsch.

Njoftime me interes për tezën e tij doktorale “Studime italo-shqiptare”, na jep studiuesi i njohur arbëresh prof. Françesko Altimari, i cili, ka patur rastin që ta konsultojë dorëshkrimin e Vjenës, të përbërë nga 145 faqe, ndarë në 5 kapituj. Ndonëse ky është një studim i rrafshit kryesisht gjuhësor, ka rëndësi të nënvizohet ndjeshmëria që nis të ravijëzohet te Çabej i ri – për letërsinë arbëreshe, fillimisht për tekstet folklorike të këtij komuniteti, të cilat, i përfshiu në një kapitull më vete.

Në vitet e mëvonshme, në kontekstin e problematikës së studimeve të tij letrare, letërsia arbëreshe do të bëhet një objekt i pandashëm e i rëndësishëm studimi dhe interpretimi.

Nga pikëpamja kronologjike, studimet e Çabejt për letërsinë arbëreshe, do të zgjasnin për aq kohë sa ai iu përkushtua studimeve letrare në tërësi, d.m.th. nga fillimi i viteve ’30 e deri aty nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Në këto studime, ai, jo vetëm se formulon një mori tezash, të cilat edhe sot e kësaj dite, mbeten jo vetëm të paqortueshme, por edhe impresionuese dhe mjft intriguese për t’u shtjelluar nëpër studime të gjera të pritshme. Kjo vjen, pasi studimet e tij, veç të tjerash, e kanë të dukshme një frymë eseistike, d.m.th., që transmetojnë e çlirojnë si në reaksion zinxhir, mjaft sinteza e domethënie, të cilat, ngjajnë të koncentruara gati në nivel postulatesh e strukturash programatike për studime të mëtejme.

Çabej ka meritën që letërsinë arbëreshe, e ka hetuar si një strukturë natyrale, brenda sistemit të letërsisë shqipe, duke i njohur asaj elementet e përbashkëta, pozitën dhënëse e marrëse me të, por njëkohësisht edhe elementet dalluese, të ardhura si pasojë e rrethanave specifike historiko-letrare, në të cilat ajo letërsi u krijua.

Për këtë studiues, poezia italo-shqiptare (arbëreshe) është lëndë ballkanike e derdhur në formë romane; autorët e saj në rrafshin estetik, janë të drejtuar në themel nga Perëndimi. Sipas kësaj teze, bëhet dallimi mes kësaj letërsie dhe pjesës tjetër të letërsisë romantike shqipe. Madje, arrihet të bëhet dallimi i saj, edhe kundruall letërsive romantike të gjuhëve ballkanike, ku ai pajtohet me pikëpamjen e aplikimit në to – të të ashtuquajturit romantizëm realist.

Me këtë romantizëm realist, ai ka parasysh faktin që, për rrethana specifike, në letërsitë romantike të popujve ballkanikë (përfshirë natyrshëm edhe atë shqiptar) , u zhvillua fort tendenca nacional-politike në to, ku shkrimtarët, morën shpesh përsipër misionin e edukatorit dhe të misionarit të lirisë, duke u bërë me artin e tyre zëdhënës të drejtpërdrejtë të lëvizjeve nacionale e sociale të kohës e të vendeve të tyre. Kurse në poezinë arbëreshe, ai vren specifikisht: kultin e individit në kontrast me shoqërinë, kultin e ndjenjës, të mallit të larguar, të jetës si në ëndërr, të gruas, ndjenjën religjioze dhe idealizmin mistik, ironinë romantike…

Sipas kësaj teze, zbulohet e nënkuptuar ideja e guximshme se letërsia arbëreshe, kishte atributin dhe privilegjin që të përcillte, jo vetëm në trungun e letërsisë shqipe, por edhe në kontekstin e letërsive ballkanike, elemente prej puroromantizmit perëndimor. Dhe kjo përcaktohet si tipar dallues i saj, por edhe si vlerë e shtuar në kontekstin e letërsisë shqipe.

Pra, këtë veçori thelbësore të kësaj letërsie (arbëreshe), studiuesi e çmon si një element të rëndësishëm pasurimi dhe jo veçimi apo tëhuajtësimi, mes saj dhe mbarë letërsisë shqipe. Karakterin integrant të kësaj rrjedhe letrare – me trungun amtar letrar, Çabej as e ka shtruar ndonjëherë për diskutim, me gjithë specifikat që i njeh asaj, si një realtet letrar i krijuar në rrethana specifike.

Madje, pozita e saj themelore konverguese e jodiverguese – në raport me letërsinë shqipe, është mbështetje e rëndësishme e tezës tjetër të tij, pikërisht e asaj të periodizimit të letërsisë shqipe – mbi bazën e qarqeve kulturore-letrare, ku qarku italo-shqiptar, gjegjësisht letërsia arbëreshe, vlerësohet si faktor i ndjeshëm konvergues në mbërritjen e rezultantes së Letërsisë Kombëtare (Nacionale) të shek. XIX-të. Teza e E. Çabejt për periodizimin e letërsisë shqipe mbi bazë qarqesh kulturore, vazhdon edhe sot që të mbetet mjaft e vlerësuar për karakterin gjithëpërfshirës, sistematik e historik të saj.

Sigurisht, duke mbetur ky periodizim, një nga modelet e klasifikimit të letërsisë shqipe, krahas modeleve të tjera të mëvonshëm, të ndërtuara sipas kritereve të gjinive, rrymave, shkollave letrare etj.

Ndonëse në studimet e tij letrare Çabej preferon që të jetë një shqyrtues kryesisht i prirjes teorike dhe i sintezave integrale, d.m.th. pa synuar që të ndjekë aq analiza mirëfilli tekstore, gjithsesi, në shkrimet e tij kritike, janë të pranishme edhe mjaft qëndrime e vlerësime mbi autorë e vepra konkrete.

Pra, brenda sintezave, ndihen qartazi veprat dhe dukuritë konkrete letrare që merren përsispër të shqyrtohen. Kështu, p.sh. sipas tij, vepra të tilla të njohura si “Këngë të Milosaut” e De Radës dhe “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Darës, janë nga poemat më të bukura të romantizmit shqiptar dhe poema “Te dheu i huaj” e Zef Skiroit, është deri diku, përpjekja për të krijuar epin nacional të shqiptarëve të Italisë. Për kryeveprën e De Radës, ndryshe nga pikëpamjet e disa studiuesve të tjerë, ai hedh idenë se mozaicizmi (pra struktura mozaike e veprës), sintetizmi dhe njëfarë errësire që krijohet prej tyre, janë të lidhura me karakterin tipik romantik të veprës, e cila, si një vepër me koncepsion novator, i shmanget përshkrimit kronologjik të ngjarjeve dhe ku nuk ka paraqitje realiste njerëzish me mish e eshtra…, siç do të shprehej studiuesi.

Sipas tij, këtu kemi heronj romantikë, që e shkojnë jetën si endërrimtarë. “Ata rrojnë në kontrast me botën e ashpër dhe thyhen tek ky kontrast. Në këtë, poeti i mbeti besnik vetvetes. Edhe në vizatimin e këtyre, De Rada na del një pjellë vërtet e shkollës romantike. Karakteret janë cilësuar errët e me pak vija. Poeti është larg nga të paraqiturit e heronjve me konture të caktuara mirë …”

Poetët arbëreshë i vlerëson si tipikë romantikë, ku figurat e krijuara prej tyre, janë pasqyrë e unit subjektiv. “Këto figura, vetë përgjithësisht, nuk i përshtaten dot botës, por të ndjekura nga fati kombëtar, ose nga ndonjë fat tjetër, ose të shtyra nga demoni i tyre vetë, ata vdirren në jetë.

Pesimizmi i përshkon të gjitha këto vepra. Edhe vetë jeta në këto koloni plot me tradita të përmallshme, të themeluara në një mjedis të huaj e larg nga vendi i të parëve, i shtyn këta poetë edhe më fort në rrugën e pesimizmit romantik. Ndjenjat e natyrës së Italisë Jugore, përshkrimi i jetës së katundit shqiptar, që ndodhet në këtë vend, u jep këtyre veprave tërheqjen e veçantë të tyre …”.

Në përcaktime të tilla, është e vështirë të gjesh boshe për t’i plotësuar, apo ca më tepër, vështirë se të gjesh fraza të përgjithshme. Në mënyrë tejet sintetike – por qartazi, shtrohet pikëpamja mbi tipare të një letërsie, e cila, si të thuash, ka dy burime kulturore si ajo është krijuar dhe i drejtohet dy nivele lexuesish. Kësisoj, ajo kërkon që të vlerësohet si një krijimtari jo eklektike, por tepër origjinale, pra, ajo artikulohet dhe mbetet një krijimtari e pasur artistike: multikulturore dhe njëherazi multifunksionale.

Këtu kemi vërtet vështrimin e kësaj rrjedhe letrare si një fenomen sui generis, që nxit e fton studiuesit për hulumtime nëpër aspekte të patrajtuara sa dhe si duhet. Në një kuptim më të gjerë, përcillet vlerësimi se letërsia shqipe, krahas vështirësive të njohura të saj, ka patur shansin e madh që në fillimet e veta, pra, të ngjizjes si letërsi e mirëfilltë, të kishte pranë edhe një gjymtyrë të vet natyrale – letërsinë arbëreshe.

Ajo letërsi, me pozitën e saj specifike, arrinte që të përcillej për në Shqipërinë ballkanike, të pushtuar nga perandoria otomane, më shumë se vetëm si letërsi e më shumë se vetëm si kulturë.

Është në formimin dhe sistemin e punës së këtij studiuesi vështrimi krahasimtar i dukurive dhe i proceseve që merr për objekt shqyrtimi. Vihet re se ky koncepsion e kjo metodikë krahasimtare, realizohen së brendshmi, brenda krijimtarisë së një autori, brenda sistemit të letërsisë arbëreshe dhe brenda tërë makrosistemit të letërsisë shqipe.

Madje, duke kaluar edhe në krahasime më të gjera, me letërsitë ballkanike dhe ato evropiane. Është mjaft prezent edhe krahasimi i jashtëm, d.m.th. hetimi i ndërlidhjeve të letërsisë me faktorët gjeohistorikë dhe etnokulturorë në përgjithësi, duke shfaqur simpatinë ndaj interpretimit kontekstual, idhtar i të cilit mbeti deri në fund, madje edhe në fushë të gjuhësisë, ku ai realizoi nivelet më të larta të aktivitetit të tij shkencor.

Princip të krahasimit, ai ka hetimin e elementeve të përbashkëta dhe të ndryshme/dalluara mes tyre. Këtu kemi parasysh psh përcaktimin e Serembes si poetin tipik romantik evropian të melankolisë dhe të larguar nga bota reale; vlerësimin e Skiroit si të fundmin romantik dhe me përpjekjen e spikatur për të shpërthyer caqet e dialektit arbëresh (duke tentuar drejt një koineje gjuhësore); apo përcaktimet rreth poetëve të tjerë arbëreshë, që rrinë në hije të poezisë popullore dhe përcjellin në poezi kohën e parë të vendit – nga ku u shpërngulën stërgjyshërit e tyre.

Dhe duke mos e harruar kurrë ata vendin e të parëve të tyre, me endërrën e madhe e të pandalur, për t`u kthyer një ditë atje, qoftë edhe përmes kujtimeve – të ruajtura fort në rite e të derdhura në letërsi/ Ymer Çiraku, Dita.