Kulturë

138 vjetori i lindjes së Nolit

Më 6 janar 1882, u lind shkrimtari Fan Stilian Noli, me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin İbriktepe, në Trakinë Lindore.

Më 1901 u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin grek. Më tej, meqë kishte prirje për aktor, punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri me të cilën u end nëpër Greqi për gati dy vjet.

Pastaj, më 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues i greqishtes dhe po atë vit përktheu në greqisht traktatin e Sami Frashërit "Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet".

Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli drejtoi organin The Adriatic Review (Revista e Adriatikut) gjashtë muajt e parë të saj, të cilën e botonte si shtojcë "Dielli" i Vatrës.

Vepra e parë e Nolit është drama “Isreilitë e Filistinë”, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, ai përktheu ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime “Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe” dhe “Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse”.

Më 1921 u botua vepra "Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468". Kurse më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), pastaj atë “Bethoveni dhe Revolucioni francez”. Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet në përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Noli përktheu autorë amerikanë e evropianë të shek. XIX. Ai vdiq në Fort Lauderdale, më 13 mars 1965, ndërkaq u varros në Forest Hills Cemetery, të Bostonit.

Në një postim të tij në rrjetin social “Facebook”, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka përkujtuar eruditin shqiptar.

“Fan Noli nuk ishte vetëm burrë shteti, prift e dijetar. Ai ishte ideolog kombëtar e strateg, vepra kolosale e të cilit u bë udhërrëfyese për të gjithë shqiptarët. Në 138 vjetorin e lindjes së tij, këshillat e idetë e tij, janë më aktuale se kurrë”, ka shkruar Haradinaj.

 

Pjesë nga fjalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve, në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më 10 shtator 1924

 

Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëlmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.

Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut.

Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë?

Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.

Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.

Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të racës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.