Kulturë

Popullsia e Ulqinit në vitin 1919

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris i ka zhvilluar punimet Konferenca e Paqes (1919-1920), ku janë marrë vendime për popujt e vendeve përkatëse, sepse është përcaktuar statusi i shteteve në hartën politike të Evropës.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë delegacione të ndryshme të vendeve përkatëse, të përfaqësuar nga qeveritarët e kohës apo individë të tjerë, duke paraqitur kërkesat e ndryshme për qytetet, viset apo vendet përkatëse. Një veprim i tillë ishte i ligjshëm, sepse mendohej se do të përmirësohej padrejtësia e definuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912/13). Me një qasje të tillë ka marrë pjesë edhe delegacioni i Shqipërisë në kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, shkruan sot Koha Ditore.

Por në saje të një dokumenti të datës 5 mars të vitit 1919, f.209, nga ana e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Ulqinit (Poue le Comite de la Defense Nationale de Ulqini), nënshkruar nga kryetari Zejnel Gjyli, ofrohen të dhëna statistikore me interes për popullsinë dhe vendbanimet e këtij regjioni.

Popullsia dhe struktura kombëtare

Në saje të të dhënave të publikuara del se popullsia e përgjithshme ishte 8.190 banorë, ndërsa sipas strukturës kombëtare shqiptarë ishin 6.590 banorë apo 80.46 për qind, ndërsa 1.600 ishin me përkatësi sllave apo 19.53 për qind. Ndërsa sipas vendbanimeve më i populluar ishte Ulqini me 4.861 banorë, ku nga aspekti kombëtar shqiptar ishin 3.500 banorë apo 72 për qind, ndërsa sllavë 1.361 banorë apo 28 për qind. Të dhënat e tilla dëshmojnë se popullsia sllave (pas vitit 1880) ka qenë e vendosur kryesisht në zonën urbane, ndërsa në zonën rurale, pjesëmarrja e tyre ka qenë simbolike, ku në tërësi ishin 239 banorë, apo 14.93 për qind nga popullsia e përgjithshme, përkatësisht në 8 vendbanime rurale.

Kur bëhet fjalë për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin, në vitin 1919, theksojmë me këtë rast se ndryshimi homogjen i popullsisë shqiptare në Ulqin është realizuar pas vitit 1880, kur nga presioni i Fuqive të Mëdha, Perandoria Osmane ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)