Kulturë

Shfaqja “Trenat” e Zana Durakut me historinë e luftës kthehet në TKK

E inskenuar në vitin 2000 dhe 2013, drama “Trenat” është kthyer para publikut kosovar në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në hapësirën ku publiku ulet përreth skenës, është improvizuar një stacion trenash.

Nën regji të Zana Durakut, me tekst të Haqif Mulliqit, drama e shkruar në kohë lufte, shpërfaq deportimin masiv të shqiptarëve të Kosovës përmes trenave.

Aktorët Shpëtim Selmani e Rabije Kryeziu, në rolin e Venit e Vinit pasqyrojnë pafuqinë e refugjatëve potencialë, raporton “Express” i KTV-së.

Treni i tyre nuk vjen asnjëherë e pritja shndërrohet deri në torturë dhe përdhunim të grave.

Këto momente shoqërohen me muzikën e instrumentistit Xhemajl Gllavica.

Rrëfimi që shpërfaq përjetimet e trishta nganjëherë flet edhe për dashurinë dhe shpresat në gjendje lufte.

Repriza e parë e shfaqjes “Trenat” jepet sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.