Kulturë

Muzika s’është ikje nga realiteti, por pasqyrimi më i sofistikuar i tij

Lejla Haxhiu-Pula është pianiste e shquar kosovare. Ka diplomuar për piano në vitin 1981 në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në klasën e profesorëve rusë me famë botërore Evgenij Koroljov dhe Iveta Çekulaeva- Dimçeska.

Magjistraturën e ka mbaruar në vitin 1986 në Fakultetin e Artit Muzikor në Beograd, te profesori rus Igor Lasko, me sukses të dalluar dhe me mirënjohje speciale nga komisioni 10-anëtarësh, shkruan sot “Koha Ditore”. Nga viti 1982 punon si profesoreshë e pianos - lëndë kryesore në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Qysh nga debutimi i saj në vitin 1981 në festivalin ndërkombëtar “Lojërat Verore të Dubrovnikut”, ku luajti si soliste me Orkestrën e RTV të Prishtinës, e ku u vlerësua nga kritika e gazetës kroate si befasia më e madhe e programit muzikor të Festivalit, ajo vazhdoi karrierën e saj solistike pianistike në vend dhe jashtë.

Bashkëpunoi me shumë orkestra dhe dirigjentë, mbajti recitale solistike në Gjermani, Austri, Kroaci, Maqedoni..., formoi formacionin e parë kamertal në Kosovë “Trio Kosova” (1982-1989, me piano, flaut dhe klarinetë), koncertoi me duo (violinë, piano), e pas luftës formoi “Sextetin Ballkanik” (2012 - piano me quintet frymor) dhe “Trio Vivo” (2013, për soprano, flaut dhe piano).

Aktivitetin intensiv solistik e kishte në Austri (1999- 2004), ku mbajti në vitin 1999 recitalin solistik bamirës për viktimat e luftës në Kosovë, e ku specializoi edhe muzikën pianistike të shekullit XX, studioi shkencat muzikore sistematike në Graz dhe mbajti disa koncerte solistike në Graz dhe në Vjenë.

Si pedagoge e plejadës së pianistëve të rinj e të suksesshëm, të afirmuar ndërkombëtarisht, ajo nuk pushoi as në organizimin e ngjarjeve muzikore në Kosovë që nga ditët e rinisë si kryetare e Rinisë Muzikore, kryetare e Shoqatës së Artisteve Muzikorë, deri sot, te festivali “Chopin Piano FEST”, i cili në prill të 2017-s mbaroi me sukses edicionin e tetë të tij.

Haxhiu-Pula është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.

Fëmijët janë burim i shpresës, të së ardhmes, vazhdimësia e jetës. Në momentin e duhur të rrugëtimit tonë jetësor, shnëdrrohemi në krijues të jetës së re, duke e vazhduar atë që për ne e kanë bërë prindërit tanë ndoshta pa vetëdije edhe në mënyrën si e kanë bërë ata! ... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.