Kulturë

Kaçaniku s’mund të bëhet me teatër as vitin që vjen

Prishtinë, 12 dhjetor – Në marsin e vitit 2020 do të bëhen dy vjet prejse asamblistët e Komunës së Kaçanikut kishin votuar për inicimin e procedurave për themelimin e teatrit të qytetit.

Por në realitet edhe për vitin që vjen nuk ka shpresë që ky institucion do të themelohet në qytetin juglindor të Kosovës. Buxheti del të jetë halli kryesor, sipas Komunës, përderisa ata që ndërmorën iniciativën që Kaçaniku të bëhet me teatër, thonë se, që çështja të marrë epilog duhet të ketë vullnet nga udhëheqësit komunalë.

Sipas Rregullores për kushtet dhe kriteret e themelimit të teatrove kombëtare dhe teatrove të qyteteve, e miratuar në mars të vitit 2015, pëlqimi për themelimin e një teatri jepet nga Ministria e Kulturës. Rregullorja përcakton se një komision i MKRS-së duhet të vlerësojë nëse janë plotësuar kushtet për themelim të teatrit.

Komisioni i formuar nga Ministria e Kulturës, në përbërje të Zethane Bahtirit, Milot Mustafës e Gëzim Sahitit, ka përgatitur një raport në muajin korrik të vitit 2018. Komisioni kishte ardhur në përfundim se shtëpia e kulturës, “Xheladin Kurtaj”, nuk i plotëson kushtet që të funksionojë si teatër. Sipas këtij komisioni, aty duhen bërë goxha ndërhyrje për ta përshtatur hapësirën. E në këtë rast, Komuna i ka çuar duart.

Zahir Doda, që është drejtor i Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në Komunën e Kaçanikut, ka thënë se për këtë vit nuk kanë pasur buxhet për t’i bërë rinovimet e kërkuara.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)