Kulturë

Fotografitë bardhezi të Ann Christine Eek rikthejnë Isnqin e vitit 1976

Fotografi bardhezi, dokumentojnë jetën shumëngjyrëshe në një fshat shqiptar.

Isniqi i vitit 1976 rikthehet nëpërmjet fotografive të shkrepura nga një fotografe norvegjeze.

Asokohe 28 vjeçare, Ann Christine Eek, realizoi mijëra fotografi që shpërfaqin mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Kosovë, me fokus rajonin e Dukagjinit.

Pesëdhjetë fotografi nga arkivi i saj janë përmbledhur në ekspozitën “Jeta në një fshat shqiptar, Isniq Kosovë 1976”, të hapur në galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Ann Christine rrëfen se e gjitha zuri fill kur bashkë me antropologen Berit Backer, vendosën ta eksploronin traditën shqiptare.

“Ajo ishte shumë e interesuar për fotografinë, sepse babai i saj ishte fotograf gjatë luftës dhe ne u bëmë mike shumë shpejt. Asaj i pëlqeu ideja të shkonim në Isniq për ta shkruar një libër dhe provuam në disa mënyra ta financonim atë projekt e më në fund, ia arritëm ta bindnim një televizion suedez ta realizojë një film, bazuar në fotografitë. Por, filmi nuk është i mirë. Kisha shumë filma me vete dhe shkrepa mbi 9 mijë fotografi. Ishte fantastike të shkonim aty. Nuk kishte shumë literaturë asokohe, por provova të lexoja diçka. E lexova Edith Durhamin dhe Margaret Haslock. Provova të marr disa përshtypje, por nuk flisja shqip, kështu që Berit fliste me njerëz. Kur shkuam në Isniq, ishte e mrekullueshme, sepse njerëzit e njihnin atë dhe na mirëpritën”, ka thënë ajo.

“Ne bëmë më të mirën nga vetja të krijonim miqësi dhe na u bë pritje shumë e ngrohtë. Derisa Berit fliste dhe provonte të bënte hulumtimet e veta, unë u koncentrova në fotografitë dhe njerëzit harruan që isha aty. Kjo më përshtatej shumë mirë, sepse doja të punoja në këtë mënyrë. Të isha prezente dhe të filmoja se çfarë po ndodhte, pa aranzhuar asgjë”, ka shtuar më pas.

Arkivi me mbi 9 mijë fotografi i Ann Christine, është i ekspozuar edhe në rrjete sociale.

“Djali im është filmbërës dhe para dy vjetësh më sugjeroi të filloja t’i publikoja fotografitë në ‘Facebook’ dhe e krijova faqen time ‘Anne Christine Eek Photography’. U desh kohë derisa njerëzit e zbuluan, por tani është shumë e popullarizuar. I kam 50 mijë ndjekës dhe mendoj se kjo është e mrekullueshme. Kur e bëra përzgjedhjen për këtë ekspozitë, e vërejta se gjysma e tyre janë fotografi për të cilat njerëzit kanë shprehur më së shumti interesim. Në njëfarë mënyre, ndjekësit e mi në ‘Facebook’ më ndihmuan ta bëja përzgjedhjen”.

Fotografja e cila për tri dekada punoi në Muzeun Etnografik të Osllos, rrëfimin për fshatin shqiptar e ka përmbledhur edhe në libër.

“Është libër dokumentues. Ka shumë pjesë historike dhe e kam ndarë në disa kapituj. Siç mund ta shihni edhe në ekspozitë: është bota e njeriut, martesa, vdekja dhe jeta malore. Janë tri familje për të cilat do të rrëfej në libër dhe do ta kem edhe një pjesë për Selim Kuklecin, një burrë që i ndihmoi shumë Berit, sa ishte duke punuar dhe qëndruam shumicën e kohës në këtë familje. Kur vdiq, vendosa të shkruaja për të se ishte mik i mirë. Kështu që është një pjesë për të dhe një tjetër për jetën e Berit Backer”.

Libri i Ann Christine Eek, i titulluar njësoj sikurse ekspozita, “Jeta në një fshat shqiptar, Isniq 1976” është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe do të publikohet së shpejti.