Kulturë

Schimmelpfennig: Drama universale bëhet duke shmangur temat lokale

E urren kur ndonjë regjisor teatri i heq pjesë të tëra dramës për të cilën ka punuar me muaj, e ndonjëherë edhe me vite. Thotë se mbahet ende pas shkollës së vjetër në një kohë kur shfaqjet në teatrot gjermane nuk kanë më storie e karaktere. I lindur më 1967 në Göttingen, dramaturgu Roland Schimmelpfennig konsiderohet si një prej zërave më të veçantë të dramës evropiane.

Me një karrierë të gjatë zhytjeje në botën e dramaturgjisë, dramat e tij janë inskenuar në 50 vende të ndryshme të botës. “Der goldene Drache” (Dragoi i artë) ishte vlerësuar nga kritikët gjermanë si “Drama e vitit” më 2010, por e cila një vit më herët kishte pasur premierën e vet në Burgtheater të Vjenës. “Oberon Books” ka botuar edhe të tjera drama të tij, si “Arabian Night” dhe “The Woman Before”, shkruan sot Koha Ditore.

Të martën në mbrëmje, Schimmelpfennig ka evokuar plot momente nga krijimtaria e tij prej dramaturgu në qendrën “Multimedia” në Prishtinë. Përveç diskutimit mbi botën e dramaturgjisë, në pjesën e dytë janë lexuar edhe ekstrakte materialesh nga Dhurata Hoti, Andrin Kabashi, Rebeka Qena, Lidija Mitoska, Butrint Pasha, Agnesa Mehanolli, Redon Kika, Ardita Rafuna, Arjanis Shamolli, Eranda Bokshi e Vezire Krasniqi.

“Kur isha në moshën e një tinejxheri, unë doja të bëja teatër pasi që kisha edhe miq që merreshin me të. Sado që ishte një ide e mirë, ishte e pamundur të jetoja përmes teatrit”, ka nisur rrëfimin e tij dramaturgu 52-vjeçar gjerman. “Dikur nisa të bëja diçka edhe rreth letërsisë, mbase edhe për shkak të ngulmimit të babait që kërkonte rreptësisht të ndiqja një karrierë”.

Në vend të shërbimit ushtarak, ai kishte zgjedhur të kryente një shërbim civil rreth shtatë-tetë muaj. Dhe Stambolli do të ishte pikësynimi i radhës për gjermanin e ri.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)