Kulturë

Faik Krasniqi, fitues i garës së Asociacionit të Artistëve Vizualë

Këto vepra dokumentojnë punën e tre brezave të artistëve pamorë.

Veprat e dyzet e nëntë artistëve kosovarë u prezantuan në edicionin e parë të ekspozitës kolektive, që u hap në Galerinë e Fakultetit të arteve në Prishtinë.

Punime nga fusha e pikturës, skulpturës, grafikës dhe fotografisë artistike të realizuara në periudha të ndryshme u përmblodhën në këtë ngjarje të organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës, raporton “Express” i KTV-së.

Piktura e Faik Krasniqit, e titulluar “Nga Edeni Peisazh”, doli fituese në ekspozitën garuese.

Juria e përbërë nga: Arta Agani Bunjaku, Ismet Jonuzi dhe Adem Rusinovci ka shpërblyer me vend të dytë portretet në lëvizje të piktorit Agron Mulliqi dhe me vend të tretë, fotografinë e shkrepur nga Enver Bylykbashi.

Kryetari i këtij grupi të artistëve, Kamuran Goranci, tha se koncepti i ekspozitës është vazhdimësi e ngjarjes kulturore “Salloni i nëntorit” dhe qëllimi i këtij organizimi është avancimi i artistëve pamorë të vendit.

Ekspozita e Artistëve Vizualë të Kosovës, do të jetë e hapur për dhjetë ditë në Galerinë e Fakultetit te Arteve në Prishtinë.