Kulturë

Komitetit të Nobelit për Letërsi i largohen dy anëtarë

Foto: Reuters

Dy anëtarë kanë konfirmuar largimin nga Komiteti i Nobelit për Letërsi, raporton Reuters.

Akademia 233 vjeçare ishte detyruar të ndërmarr disa masa pas seks skandalit ku ishte i përfshirë edhe burri i një ish-anëtareje, që ndikoi që të shtyhej ndarja e çmimit Nobel për vitin 2018.

Anëtarë të jashtëm ishin shtuar sivjet për të ndihmuar Komitetin e Nobelit në përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët më pas do të votoheshin nga Akademia Suedeze, transmeton Koha.net.

Shkrimtari Kristoffer Leandoer thotë se po largohet pasi “nuk e ka as durimin e as kohën” për të pritur Komitetin që të përfundojë reformat.

“Akademia dhe unë kemi perspektivë të ndryshme për kohën, një vit është shumë i gjatë në jetën time dhe shumë i shkurtë për Akademinë”, ka shkruar ai në një artikull të publikuar në Svenska Dagbladet.

Leandoer ka shtuar se vendimi i tij nuk është i lidhur me ndarjen e çmimit 2019 për shkrimtarin kontrovers austriak Peter Handke, për çka Akademia kishte marrë kritika të shumta.

Kurse Gun-Britt Sundstrom në një deklaratë të publikuar në Dagens Nyheter thotë se zgjedhja e Handkes është interpretuar sikur letërsia qëndron mbi politikën, dhe ajo nuk e ka të njëjtën pikëpamje.

Kujtojmë se Akademia Suedeze ishte kritikuar shumë pasi Handke kishte thënë se Serbia ishte viktimë në luftërat e Ballkanit, derisa ishte prezent edhe në funeralin e Sllobodan Millosheviqit.