Dramaturgu Roland Schimmelpfennig mban diskutim në Prishtinë për teatrin dhe dramën evropiane

Dramaturgu Roland Schimmelpfennig mban diskutim në Prishtinë për teatrin dhe dramën evropiane

02 December 2019 12:58

Qendra Multimedia ka njoftuar se të martën më 3 dhjetor nga ora 18:00 do të mbahet një diskutim për teatrin dhe dramën evropiane, me dramaturgun e njohur gjerman Roland Schimmelpfennig.

Po ashtu, sipas njoftimit, pas diskutimit, do të lexohen ekstrakte të materialeve për teatër, të prodhuara nga masterklasi i organizuar nga Qendra Multimedia dhe i udhëhequr nga Roland Schimmelpfennig.

“Shkrimet e tyre do t’i lexojnë: Dhurata Hoti, Andrin Kabashi, Rebeka Qena, Lidija Mitoska, Butrint Pasha, Agnesa Mehanolli, Redon Kika, Ardita Rafuna, Arjanis Shamolli, Eranda Bokshi e Vezire Krasniqi”, thuhet në njoftim.

Roland Schimmelpfennig (1967) është njëri prej dramaturgëve më të rëndësishëm dhe më të inskenuar në Evropë. Dramat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të ndryshme dhe janë vënë në skenë në rreth 50 vende të botës. Në vitin 2010, Schimmelpfennig është shpërblyer me Mülheim Dramatists Prize për dramën e tij “Der goldene Drache” (Dragoi i artë), e cila ka pasur premierën në Burgtheater të Vjenës në vitin 2009, e nga ajo kohë ka pasur mbi 30 produksione në të gjithë botën.

Schimmelpfennig është fitues i dhjetëra çmimeve të tjera në Gjermani dhe Evropë, përfshi edhe fitues i çmimit më të lartë gjerman për dramë Else Lasker Schüler Prize.

Ky aktivitet organizohet nga Qendra Multimedia kurse është mundësuar nga Instituti Goethe.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme