Mjeshtri që i jep jetë drurit

Mjeshtri që i jep jetë drurit

Artan Krasniqi Artan Krasniqi 01 December 2019 12:01

“Nuk jam mobilexhi i thjeshtë, gjërat që i bëj i lidhi konceptualisht”, është një prej fjalive që Arbër Gjinovci, lexues i pasionuar i filozofisë e rocker i kohës së lulëzimit urban të Prishtinës, e thotë për të dëshmuar edhe dashurinë që e ka për punën që bën, shkruan sot Koha Ditore.

Në një punëtori të industrisë së drurit, Gjinovci ka krijuar hapësirën e vet. Merret ekskluzivisht me përpunimin e drurit të vjetër, proces të cilin refuzon ta quajë riciklim. Në fakt, ai i jep jetë drurit, që e mbledh me vështirësi në gjithë Kosovën, e që në rastin më të mirë do të përfundonte i tymosur e hi në ndonjërën prej stufave të fshatrave të vendit.

Në fabrikën që ndodhet në magjistralen Prishtinë – Lipjan, këndi i Gjinovcit është një ekspozitë mbresëlënëse e artit të përpunimit të drurit. Ndalet për të shpjeguar po me pasionin që i ka bërë secilën vepër veç e veç. E nga aty rrëfen edhe për idenë që e shtyri drejt një pune, që e pranon se as nuk çmohet aq e as nuk ka blerës të bollshëm.

Mobiliet jokonvencionale të ambientalistit

Arbër Gjinovci thotë se në industrinë e drurit është i përfshirë tash e më shumë se tri dekada.

“Prej kur babai është marrë me sallon mobiliesh, me tregti. Po flas për vitet 1987-88. Kam fillu si shitës. Por kur i kujtojmë vitet ‘90, e dimë që u dashtë me u marrë me diçka, dhe hymë edhe në prodhim, me materiale që i përdorim edhe në ditët e sotme”, nis rrëfimin Gjinovci, që i vetëdijshëm se interesi i gazetës është për drurin e vjetër, del shpejt te ideja që e nxiti në këtë rrugëtim.

Gjithçka nisi këtu e pesë vjet më parë.

“Me përpunimin e drurit të vjetër kam filluar diku në vitin 2014. Nuk po më pëlqen ta quaj riciklim, megjithatë është një gjë që hyn edhe një herë në përdorim. Sidoqoftë, kjo është puna që po e bëj”, thotë ai.

Një ndejë me gruan e tij dhe një mik familjar në vilën e këtij të fundit në një fshat të Kosovës, do të ishin vendimtare që ai t’i hynte kësaj pune.

“Bënin me duar, me ia bë kështu e ashtu. Unë rezistoja se i dija pasojat, se lehtë është me fol, por zor me realizu. Të dy më lanë në lloç”, thotë me një dozë humori. Në fakt, vetë Gjinovci e pranon se nuk e përmbushte vetëm puna e prodhimit të mobilieve konvencionale.

“Kushtimisht thënë është bërë bozë. Me dy, tre muaj zanat njerëzit çelnin punëtoritë e veta. Veç prej durve të mia kanë dalë disa persona Nja 10-15 ende janë në treg, po aq të tjerë nuk e kanë lënë”, thotë Gjinovci, që, megjithatë, njeh nevojën e njerëzve për t’u pavarësuar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën "Koha Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme