Kulturë

Dimensioni empatik i sportit

Aktualisht në aspektin social por gjithashtu pa lënë anash aspektin ekonomik dhe politik, sporti përbën një nga veprimtaritë më të rëndësishme shoqërore në nivel global. Në shoqëritë bashkëkohore, sporti me elementet e tij, përfshirë resurset humane, pastaj infrastrukturën e shtrirë në mbarë botën, është një nga dimensionet më stabile kulturore që ofron ndjenjën e përbashkësisë dhe solidaritetit në botë.

Komuniteti sportiv karakterizohet me kulturë të lartë sensibilizimi dhe solidariteti, por mbi të gjitha me një dimension krucial për individin në ditët e sotme – atë të empatisë. Komuniteti sportiv duke qenë pjesë e një bashkësie të gjerë sa i përket profesionit dhe mbështetjes sportive që ofrojnë në formë të tifozërisë, shquhet me paraqitje të drejtpërdrejtë dhe të hapur të ndjenjave, zhgënjimeve dhe gëzimit grupor a individual, e ndonjëherë edhe vandalizmit e huliganizmit, shkruan sot Koha Ditore.

Duke qenë se analiza në vijim merr për bazë trajtimin e këtij aspekti të rëndësishëm shoqëror të sjelljes dhe psikologjisë së komuniteteve sportive dhe vetë sportistëve, do të ishte me vend që kjo analizë të fillojë me rastin e tërmetit tragjik në Shqipëri që mori shume jetë, pas së cilit grupe tifozerish në Kosovë por edhe në vise tjera shqiptare qenë ndër të parët aktorë që organizuan grumbullimin e ndihmave për të mbijetuarit dhe të dëmtuarit nga tërmeti. Duhet theksuar fakti se në këtë aksion të gjerë bamirës të grumbullimit të ndihmave rol të veçantë luajtën organizata të ndryshme joqeveritare dhe natyrisht qytetarët me ndihmën e tyre.

Në rrafshin ndërkombëtar nga fusha e sportit, reagime solidarizuese shprehën klube të mëdha futbollistike, ndër to vlen të përmenden A.C. Milan dhe S.S. Lazio në nivel klubesh, por gjithashtu në nivel të tifozerisë, fansat e S.S.C Napolit. Natyrisht këtë solidarizim dhe ngushëllim për viktimat e shkaktuara nga tërmeti këto klube e bënë në faqet të tyre të rrjeteve sociale, ndërsa individualisht lojtarë të mirënjohur botërorë po ashtu shprehën ngushëllime dhe solidarizim për humbjet njerëzore. Vlen të përmendet kampioni i botës me Francën, Paul Pogba, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale shprehu ngushëllimet dhe u “lut” për Shqipërinë. Gjithashtu ngushëllime dhe përkrahje shprehën edhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, pastaj ish-futbollisti i njohur shqiptar, Igli Tare dhe gjithsesi shumë sportistë të tjerë shqiptarë.

Përveçse nga Kosova, reagimet ngushëlluese për Shqipërinë nuk munguan as nga tifozeritë dhe sportistët e vendeve të rajonit. E gjithë kjo klimë solidarizuese, pastaj aksioni i ndihmës për të mbijetuarit dëshmojnë karakterin dhe natyrën empatike të sportit, respektivisht ndjesinë empatike të komuniteteve-aktorëve sportivë dhe kulturës unike që ata prezantojnë./Albert Mecini