Kulturë

Dëshmi historike të tërmeteve nga Durrësi në Dardani gjatë dy mijë vjetëve

Harta e Durrësit e vitit 1593, e realizuar nga hartografi venedikas, Simon Pinargenti

Viti 49 para erës sonë. Një anije po i avitej Dyrrahut ilir, por sakaq një stuhi e papritur zuri të dallgëzonte detin. Ishte kjo vizita e filozofit dhe oratorit romak, Marcus Tullius Cicero, që do të bëhej dëshmia e parë historike për lëkundjet e tokës në bregdetin dhe prapatokën e Durrësit. Sipas përshkrimit të një shkrimtari të vjetër, Ciceroni ende nuk kishte shkelur në breg kur “filloi një tërmet i shoqëruar edhe me një trazim të fortë të detit”.

Në mëngjesin e së martës, me epiqendër disa kilometra në veri të Durrësit, një dridhje e fuqishme e tokës prej 6.4 shkallë të rihterit përfshiu gjithë zonën e afërt të bregdetit shqiptar. Mes gërmadhave e rrënojave të shtëpive e pallateve të shembura, epilogu tragjik i tërmetit vetëm deri të premten shënoi 50 viktima, pjesa më e madhe e të cilëve në Durrës dhe fshatin Thumanë, shkruan sot "Koha Ditore".

Por lëkundjet e fuqishme të tokës nuk janë të panjohura për bregdetin shqiptar.

Në historinë mijëravjeçare në analet e historisë ruhen të kronikuara vetëm tri tërmete. Sipas burimeve historike, tërmeti i parë përkon me vizitën e Ciceronit në Durrës kah mesi i shekullit të parë para erës sonë. Disa shekuj më vonë, përkatësisht në vitin 345, një tërmet tjetër do të shkundullonte sërish portin më të njohur të Adriatikut.

Një vepër anonime, që i përket gjysmës së shekullit të katërt, është njoftimi i vetëm për këtë tërmet.

“Dyrrahu për arsye të veseve të këqija të banorëve të tij u shkatërrua nga perëndia e zemëruar, u fundos e nuk u duk më”, shkruan anonimi i traktatit të quajtur “Përshkrim i gjithë botës dhe popujve” (Descriptio totius mundi et gentium). Sipas studiuesit Moikom Zeqo, shkatërrimi i qytetit ilir shpjegohet si “mallkim i tipit biblik, i botëkuptimit të ri të protokrishterëve”.

Durrësi më 1273 ose “fundi i botës”

Shekujt pasues do të ishin dëshmitarë të përmbytjeve, zjarreve e tërmeteve që godisnin herë pas here vendbanimet shqiptare, disa prej të cilëve duke ndryshuar përfundimisht fizionominë e tyre. Durrësi do të goditej sërish më 1273 nga një tërmet që dëmtoi pjesën më të madhe të qytetit, aq sa pjesa më e madhe e banorëve durrsakë u strehuan në qytete fqinje apo edhe emigruan në Itali. Dridhje të forta toke goditën më 1356 qytetin e Beratit, përderisa rrufetë më 1452 dogjën qytetin e Dejës.

Pasiguria nga fatkeqësitë natyrore kishte bërë që autoritetet bashkiake nëpër qytete, si Durrësi, Shkodra, Tivari etj., të nxirrnin urdhëresa me anë të të cilave disiplinohej mënyra e ndërtimit të shtëpive, hedhja e plehrave dhe derdhja e ujërave të zeza.

Por tërmeti, që është dokumentuar në mënyrë më të hollësishme, është ai që ndodhi në fund të shekullit të trembëdhjetë në qytetin e Durrësit.

Një pjesë e historianëve mendojnë se ai ngjau më 1273, përderisa të tjerë kanë dhënë mendime alternative për vitet 1267, 1269 dhe 1271. Burimet e kohës bëjnë me dije se kjo lëkundje toke shkaktoi viktima e dëme të shumta materiale.

Madje, ky tërmet kujtohej edhe pesëdhjetë vjet më vonë si ngjarje katastrofike. Një pelegrin irlandez, që kaloi përmes Durrësit më 1323, mësoi se kjo ngjarje e kishte katandisur qytetin në përmasa të mjerueshme duke varrosur për së gjalli 24 mijë qytetarë të kamur brenda rrënojave të shtëpive të tyre (Itinerarium Symonis Semeonis Ab Hybernia ad Terram Sanctam). Pak vite pasi ra në duart e anzhuinëve, më 1280, Karli I Anzhu urdhëroi që muri i akropolit të pajisej me 24 erkere druri. Erkeret prej druri, zakonisht, mbështeteshin mbi trarë që fiksoheshin në mur ose që lidheshin me dyshemenë e katit të kullës. Por dëshmia më e plotë historike e kësaj ngjarjeje tragjike u shkrua nga historiani bizantin, Gjergj Pahimeri. I lindur në qytetin e Nikesë më 1242, ai njihet për veprën e tij të rëndësishme mbi historinë bizantine në 13 libra që kronikojnë sundimin e perandorëve Mihail dhe Androniku II Paleolog.

Historiani bizantin e përshkruan si “ngjarje pikëlluese e me lot” tërmetin që ra në Durrës, përderisa paraqet përjetimet e banorëve para se kjo të ndodhte.

“Në muajin korrik zhurma jo të zakonshme tronditën tokën vazhdimisht, të cilat dikush duke folur në përgjithësi mund t’i quajë britma që tregonin qartë se së afërmi do të vinte një e keqe. Për çdo ditë më dendur dhe më tepër se [çdo ditë] më parë jehonin gjëmimet. Disa frika e përhapur i bindi që të banonin diku jashtë qytetit, në mënyrë që po të ndodhte gjë, të shpëtonin”, shkruan Pahimeri. “Por, kur u bë natë, pas atyre zhurmave të ditës, bie një tërmet i fuqishëm dhe më i madh nga ata që kujtohen. Kjo nuk ishte një e dridhur e tokës që lëvizte pjerrtas, siç mund të thoshte dikush, por një lëkundje në formë pulsi, saqë në çast ai qytet (Durrësi), u përmbys që nga themelet e ra përtokë”.

Shembje shtëpish e ndërtesash që zinin të gjallë banorët janë disa prej skenave që përshkruhen prej historianit bizantin. Sipas tij, “askush s’kishte mundësi të ikte”.

“Dendësia e ndërtesave pengonte largimin e tyre dhe ishte më e lehtë të shpëtonin brenda në shtëpi sesa të dilnin jashtë tyre. Por edhe ato [ndërtesa] që shpëtonin pjesërisht, nuk ishte e mundur që ndonjë të shpëtonte e paprekur se binin njëra mbi tjetrën. Dhe ajo që i shpëtonte rrezikut rastësisht, kur binte shtëpia tjetër, zihej brenda. Dhe fatkeqësia ishte e përgjithshme. Qe e vështirë që dikush të ikte e të shpëtonte”, shkruan Pahimeri, shkruan "Koha Ditore".

Ai vazhdon më tej duke thënë se shumë njerëz patën përshtypjen se ishin në ëndërr dhe “para se të mësonin ngjarjen, humbnin”.

“Djem të vegjël dhe foshnja, që nuk njihnin të keqen mbuloheshin nga gërmadhat dhe kaq ishte goditja e befasishme dhe zhurma saqë edhe deti që vlonte nga jashtë [i bënte] ata që ishin pranë të pandehnin, se nuk ishin ato fillimi i dhimbjeve, por të ndienin mbarimin e botës”.

Kur shtëpitë binin njëra mbi tjetrën, sipas Pahimerit, të shumtë ishin edhe ta që pandehnin se po ndodhte zhdukja e botës.

“Meqenëse ai qytet ndodhej buzë detit dhe të keqën, dhe tronditjen e pësoi befas, dhe kaq konfuzion njerëzish u bë dhe kaq goditje pati nga shtëpitë që binin njëra mbi tjetrën, saqë ata që u ndodhën jashtë, u tronditën shumë nga ato që dëgjonin dhe nuk kishin se çfarë tjetër të pandehnin, veçse zhdukjen e të gjithë botës”, shkruan Pahimeri.

“Tërmeti zgjati jo pak, saqë të mos mbetej asgjë në këmbë, por çdo gjë që ishte brenda të rrëzohej dhe njerëzit t’i mbulonte. Vetëm Akropoli (ai qëndroi dhe nuk iu nënshtrua tërmetit. Kur u bë ditë, vrapuan në ndihmë banorët përreth, me shata, dhiqela e çdo vegël tjetër që gjetën përpara e përdorën për gërmim. Duke u hedhur [mbi gërmadhat] gërmonin që të mund t’i shpëtonin nga rreziku disa të mjerë që akoma ishin gjallë”.

Në kronikën e historianit bizantin vihet në dukje edhe pështjellimi që pasoi tërmetin, që la veçse gërmadha e rrënoja. Madje jo të paktë ishin ata që përvetësonin pasuritë e viktimave.

“Atëherë me sendet e të vrarëve u përzien edhe trashëgimtarët e tyre dhe nuk pengohej me vendim gjyqi ai që rastiste të merrte. Mbasi gërmuan për ditë me radhë, gjithë atë që u bë në tokë dhe mbasi bënë korrje të arta, shqiptarët dhe banorët përreth, që përdorën së bashku dhiqelat, më në fund e lanë të shkretë qytetin e dikurshëm, që njihej nga disa shenja të zbehta dhe që quhej kështu jo se ishte [tani qytet], por vetëm nga emri”, shkruan më tej Pahimeri.

Në mesin e ikanakëve që braktisën qytetin ishte edhe peshkopi ortodoks i Durrësit, Niketa.

“Duke parë fatkeqësinë e hidhur, që askush ndonjëherë nuk e priste, iku i tmerruar, duke lënë metropolin [kryeqytet] të shkretë, jo vetëm nga vetja, por edhe nga banorët e tij [metropolit], nga bukuria e godinave dhe sendeve të tyre”, përfundon kronika bizantine.

518-a, viti i zi për Dardaninë

Në viset e brendshme shqiptare, si tërmeti me më së shumti konsekuenca përmendet ai i vitit 518 të erës sonë. Të dhënat për të i detyrohen një kronikani me origjinë nga Iliria, Marcellinus Comes, që flet për tërmetin katastrofik në Dardani dhe shkatërrimin e kështjellave (Castella). Në kohën kur kishin nisur penetrimet e para të sllavëve në tokat ilire, tërmeti i vitit 518 që goditi Dardaninë shkatërroi 24 qytete teksa rrënoi krejtësisht Shkupin. “Nga tërmetet e vazhdueshme – shkruan kronikani Comes – në provincën dardane, menjëherë u shkatërruan njëzet e katër kështjella”.

“Dy nga këto u fundosën së bashku me banorët, katër u shkatërruan, duke humbur gjysmën e banesave dhe të banorëve, trembëdhjetë nga fatkeqësia humbën një të tretën e shtëpive dhe po aq nga popullsia, shtatë u shkatërruan, duke humbur një të katërtën e shtëpive dhe po aq nga popullsia, kurse kështjellat fqinje u braktisën nga frika e shkatërrimit”, shkruante Comes, i cili ishte sekretar i Justianit para se ky të bëhej perandor.

“U shkatërrua krejtësisht edhe qyteti kryesor Skupi, megjithëse pa humbjen e qytetarëve të tij, të cilët ikën para armikut”.

Me detaje të një dëshmitari të dorës së parë, Comes përshkruan shembjen e maleve dhe krijimin e plasaritjeve të tokës.

“Nga ky tërmet u çanë shumë male nga e gjithë provinca, shkëmbinj u shkëputën nga masivet e tyre dhe trupat e pemëve u gremisën teposhtë. Në një largësi prej tridhjetë miljesh toka u ça me një gjerësi prej dymbëdhjetë hapash, dhe u përgatit kështu një hendek i thellë ku ranë shumë nga qytetarët e kështjellave, të cilët vazhdonin të iknin nga shkëmbinjtë që rrokulliseshin ose nga sulmet e armiqve”, shkruan ai, shkruan "Koha Ditore".

“Atëherë në një kështjellë të krahinës Kanisa, e cila quhet Sarnonti, toka nxori prej shtresave të saj të përvëluara si prej një furre të nxehtë një curril të ngrohtë dhe të vazhdueshëm uji”.

Tërmeti i Shkupit më 1963

Prejse ka filluar evidentimi shkencor dhe matjet sizmologjike vlerësohet se në Shqipëri në shekullin nëntëmbëdhjetë janë shënuar mbi 77 tërmete. Një prej dridhjeve sizmike më shkatërrimtare gjatë atij shekulli kishte ndodhur më 12 tetor 1851, gjatë të cilit ishin shkatërruar pjesërisht Vlora dhe Himara. Disa ditë më vonë, më 17 tetor, një tërmet i ri shkatërroi rëndë Beratin, ku nën gërmadhat e kalasë së qytetit u zunë të gjallë 400 ushtarë. Në shekullin e njëzetë më të rëndit ishin ai i 30 nëntorit të vitit 1967, me magnitudë 6,6 dhe intensitet 9 ballë, (12 të vdekur dhe 174 të plagosur), si dhe një tjetër më 15 prill 1979. Ky i fundit, me magnitudë prej 7.25 shkallësh të rihterit, pati si bilanc 35 të vdekur dhe 176 të plagosur. Sipas të dhënave zyrtare të kohës, të përfshira në librin “Tërmeti i 15 prillit 1979”, ky tërmet “la 100 mijë banorë pa shtëpi, prej të cilëve 60 mijë ishin në rrethin e Shkodrës, kurse pjesa tjetër në rrethin e Lezhës”.

Ndërkaq, tërmeti me pasojat më të rënda ishte ai i 26 korrikut të vitit 1963, në Shkup, që la të vdekur 1070 njerëz, disa mijëra të tjerë të plagosur dhe më shumë se 200 mijë të pastrehë. Ndërkaq në Kosovë tërmeti më i fuqishëm gjatë dekadave të fundit ishte ai i 24 prillit të vitit 2002 që goditi rajonin e Anamoravës, ku për pasojë humbi jetën një person dhe u shënuan dëme të ndjeshme materiale.