Programi “BRICK” vazhdon kontributin për nxënësit e Ferizajt

27 November 2019 20:44

Këndet e leximit në institucione arsimore, konsiderohen se shërbejnë për t’i relaksuar nxënësit para se të fillojnë procesin mësimor.

Nëpërmjet projekt “Jetëso idenë”, tashmë nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj, do të kenë mundësi të shfletojnë librat e renditura në këtë kënd.

Libri “Harmonia”, i shkruar nga Kujtim Nushi për shkolla të mesme profesionale të muzikës dhe “Teoria themelore e muzikës” nga po i njëjti autor, janë pjesë e literaturës që ua mundëson nxënësve t’i shtojnë njohuritë e tyre në lëmin e muzikës.

Mësimdhënësja e solo-këndimit, Melihate Kelmendi, thotë se ky kënd është shumë i rëndësishëm për nxënësit e artit dhe muzikës, raporton “Express” i KTV-së.

Nxënëset Blinë Musliu dhe Arlinda Sejdiu e kanë mirëpritur këtë iniciativë dhe thonë se kohën e lirë do ta kalojnë duke shfletuar librat e vendosura në këto rafte.

Në kuadër të projektit “Jetëso idenë”, shkolla fillore “Ganimete Tërbeshi”, dhe Gjimnazi “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj, është pajisur me instrumente muzikore.

Nga një kitarë, piano, violinë dhe harmonikë janë vendosur në këto institucione mësimore, për t’ua mundësuar nxënësve ta zhvillojnë talentin në muzikë.

Projekti “Jetëso idenë”, është pjesë e programit “Brick”, dhe implementohet nga organizata CDF në bashkëpunim me “Integran”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme